Stërvitje ushtarake pranë Tajvanit, Kina nuk ndal provokimet!
Kina provokon sërish, kryen stërvitje ushtarake pranë Tajvanit, ndërsa manovrat përkojnë me praninë e një grupi ligjvënësish gjermanë që sot po vizitojnë ishullin. Në krye të delegacionit është Marie-Agnes Strack-Zimmermann, e cila drejton Komisionin e Mbrojtjes në Bundestag, Parlamentin e Gjermanisë. Ligjvënësit gjermanë do të takojnë presidentin e Tajvanit, Tsai Ing-wen, si dhe kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, krahas zyrtarëve të tjerë.
Vitet e fundit, Kina ka rritur presionin mbi ushtrinë e Tajvanit, duke dërguar avionë luftarakë e anije të marinës drejt ishullit, pothuajse çdo ditë. Pekini zyrtar pretendon sovranitetin mbi ishullin, që nga Kina u nda në vitin 1949 pas një lufte civile. Përmes sistemeve raketore, Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit ka monitoruar avionët luftarakë dhe po ashtu anijet e marinës kineze. Ky dikaster doli me një deklaratë në të cilën thuhet:
Veprimet e Kinës kanë prishur rëndë paqen dhe stabilitetin në ngushticat e Tajvanit e ujërat përreth. Në 24 orët e fundit, Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës fluturoi me 57 avionë luftarakë e lundroi me katër anije drejt Tajvanit.
Njëzet e tetë nga këta avionë kaluan vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit, një kufi jozyrtar të cilin të dyja palët kishin respektuar më parë. Një ditë më parë, vendi i madh aziatik njoftoi për stërvitjet rreth orës 23:00 të mbrëmjes me atë lokale duke thënë se “objektiv i tyre kryesor ishte praktikimi i sulmeve tokësore dhe po ashtu, sulmeve nga deti”.
Në fund të muajit të kaluar, Kina dërgoi një rekord prej 71 avionësh dhe 7 anijesh drejt Tajvanit, në stërvitjen më të madhe të kësaj shkalle për vitin 2022. Ndërkohë, Tajvani do të zhvillojë stërvitjet e përvitshme ushtarake dyditore duke filluar nga 11 janari, pra pas dy ditësh. Manovrat përpara festave të Vitit të Ri Hënor synojnë të tregojnë aftësitë mbrojtëse të Tajvanit.