Edhe Kosova ‘vuan’ nga rritja e çmimeve, inflacioni në kulm!
Inflacioni (rritja e çmimeve) në korrik të këtij viti ka arritur 14.2 për qind në raport me muajin korrik të vitit të shkuar në Kosovë.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 0. 9 për qind në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin qershor të po këtij viti.
Kjo rritje e çmimeve është kryesisht te shërbimet për transport 9.4 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 7.4 për qind.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.9% në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin qershor 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pushime të organizuara (22.1%); shërbime për transport (9.4%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (7.4%); qumësht, djathë dhe vezë (4.8%); bukë dhe drithëra (3.9%); pemë (3.6%); pije alkoolike (3.5%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.6%); shërbime hoteliere (2.0%); mish (1.7%); qelqurina, takëme dhe mjetet e kuzhinës (1.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.5 për qind në IHÇK”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërkaq, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2022, me muajin korrik 2021, ishte 14.2 përqind.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 14.2 për qind në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin korrik 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: vajra dhe yndyra ushqimore (54.1%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (44.1%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (43.5%); bukë dhe drithëra (32.1%); shërbime për transport (27.7%); gaz (26.8%); qumësht, djathë dhe vezë (26.3%); mish (21.8%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (19.1%); kafe, çaj dhe kakao (16.8%)”, shkruan në raportin e fundit të ASK-së.