Tanket amerikane, gjermane dhe britanike drejt Ukrainës: Do të rrisin aftësitë e ushtrisë!

vovalbania January 27, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Tanket amerikane, gjermane dhe britanike drejt Ukrainës: Do të rrisin aftësitë e ushtrisë!

Shtetet e Bashkuara së bashku me Gjermaninë dhe Britaninë premtuan dërgimin e tankeve luftarake Abrams, Leopard dhe Challenger në Ukrainë, për të ndihmuar përpjekjet e Kievit në luftë kundër Moskës.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Redisch sjell një analizë mbi mundësitë që ofrojnë dhe dallimet midis këtyre tankeve të përparuara.

Me një motor prej 1 mijë e 500 kuaj-fuqi, tanku amerikan Abrams M1 konsiderohet gjerësisht si tanku me teknologjinë më të përparuar në përdorim.

Ai drejtohet nga një ekip prej katër vetash.

Abrams M1 është i pajisur me një top120 milimetërsh, për të shkatërruar tanket e armikut dhe automjetet e tjera të rënda të blinduara.

Ky tank ka edhe tre mitralozë, një të rëndë për të shkatërruar automjetet e blinduara lehtë dhe dy të tjerë që konsiderohen si armë për të sulmuar personelin e armikut.

Mund të lëvizë me një shpejtësi prej rreth 65 kilometrash në orë, në një distancë maksimale prej rreth 425 kilometrash.

Motori i tankut Abrams M1 funksionon më së miri me karburant avioni, duke ndikuar në shpenzimet dhe logjistikën e përdorimit të tij.

Tanku gjerman “Leopard 2” me një fuqi motorike prej1 mijë e 500 kuaj-fuqi punon me naftë, një karburant që sigurohet më lehtë.

Ky tank ka shumicën e veçorive të tankut amerikan, si topi prej 120 milimetrash dhe mitralozët e lehtë.

Tanket gjermane dhe ato amerikane janë krijuar për të mbrojtur më mirë ekuipazhet e tyre prej katër personash, ndryshe nga tanket e prodhimit sovjetik, që përdoren tani nga Ukraina dhe Rusia.

“Në tanket M1A1 dhe Leopard 2 ushtarët janë shumë më të sigurt, sepse municioni i këtyre tankeve është jashtë vendit ku qëndron ekuipazhi. Në një tank sovjetik, predhat janë brenda kabinës ku ndodhen ushtarët. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme katastrofike për ekuipazhin dhe vetë tankun”, thotë Gian Gentile, ish-komandant i tankeve të ushtrisë amerikane

Me një ekip prej katër vetash, Leopard 2 lëvizë me shpejtësi të ngjashme me tankun Abrams, por distanca maksimale e tij është rreth 340 kilometra.

Mbi 2 mijë tanke Leopard 2 ndodhen në shumë vende evropiane, duke e bërë atë shumë të disponueshëm, që është edhe përparësia kryesore e tij.

Tanku Challenger 2 i Britanisë ka një top 120 milimetrash si armë kryesore, së bashku me disa mitralozë të lehtë, ngjashëm me tanket e tjera. Municioni i tij ruhet gjithashtu jashtë kabinës së ekuipazhit.

Motori i tij që funksionon me naftë është më i vogël, 1 mijë e 200 kuaj-fuqi. Challenger 2 nuk është i shpejtë aq sa dy të tjerët.

Por distanca maksimale e tij prej mbi 500 kilometrash është dukshëm më e mirë se e tankeve të prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe Gjermani.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE