Radhët në Kakavijë, Meta thirrje qeverisë të kontaktojë palën greke!
Ilir Meta reagon duke i kërkuar Tiranës zyrtare të kontaktojë me urgjencë palën greke për të zgjidhur problemin e radhëve të gjata që raportohen sot në pikëkalimin e Kakavijës e ku ka pritje të qytetarëve që duan të hyjnë në Shqipëri. Kryetari i Partisë së Lirisë e quan “të papranueshëm” rikthimin e radhëve kilometrike dhe në një postim në rrjetet sociale shkruan:
I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të vendosin menjëherë kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat efektive për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat e kalimit kufitar. Rikthimi i radhëve kilometrike në Kakavijë është i papranueshëm!
U kërkoj autoriteteve përgjegjëse shtetërore të ndërpresim menjëherë pushimet, të ngrihen në këmbë dhe të marrin çdo masë të duhur e të mundshme për të mos përsëritur kurrë më krizat humanitare në Kakavijë, ku mijëra emigrantë e shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshuar u lanë të braktisur dhe në kushte tejet të vështira, por minimalisht t’i informojnë në kohë qytetarët dhe me transparencë për çdo vonesë.
Një thirrje, Meta e ka edhe për palën greke:
I inkurajoj gjithashtu autoritetet greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të ngushta tradicionale, të bëjnë gjithçka për të shmangur situata të papranueshme dhe kriza humanitare në pikat e kalimit kufitar, imazhet e të cilave i turpërojnë të dyja vendet tona.
Tani që afron mesi i gushtit, sa vjen e shtohet numri i atyre që kthehen në vendlindje për të pushuar pranë familjeve. Por, sot u raportuan radhë kilometrike në pikën e kalimit në Kakavijë, pranë kufirit me Greqinë, pritje me orë të gjata për të hyrë në Shqipëri, ndërsa vargu i makinave shkon deri në 4 kilometra. Ndryshe nga pala shqiptare që për të përballuar fluksin punon me numër të shtuar sportelesh, shtatë të tilla: katër në hyrje e tre në dalje, ajo greke operon vetëm me dy në dalje dhe po aq në hyrje, çka nuk mjafton e ndikon në vonesa.