Bruksel, më 27 shkurt zhvillohet takimi Kurti-Vuçiç!
Për në datën 27 shkurt, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell ka thirrur takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Sipas burimeve zyrtare në Bruksel, “Kurti e Vuçiç e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në raundin e ri të dialogut e temë e takimit pritet të jetë propozimi europian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Pas takimit të organizuar nga Josep Borrell, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të ketë takime të veçanta me ta. Nga nëntori i vitit të kaluar, shefi i qeverisë së Prishtinës e kreu i shtetit serb, nuk kanë zhvilluar bisedime në kuadër të dialogut të Brukselit.
Vitin e kaluar, Kosovës e Serbisë iu dorëzua propozimi europian apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi franko-gjerman. Palët konfirmuan se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik. Mësohet se në mënyrë specifike, drafti nuk përmend njohjen, megjithatë flet për të drejta të barabarta për Kosovën e Serbinë, respektimin e integritetit territorial, paprekshmërinë e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore e po ashtu flet për një rregullim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian në vitin 2011. Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, por Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, ndonëse pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.