Pas zgjedhjeve Lulzim Basha zbret në bazë, takim me strukturat në Shkodër
Pas zgjedhjes në krye të PD-së dhe pasi mblodhi kryesinë, Lulzim Basha ka zbritur në bazë. Pas Durrësit, ai ka zhvilluar një takim në Shkodër me strukturat e këtij qarku.
“Në Shkodër me drejtuesit e këtij Qarku, për riorganizimin dhe forcimin e çdo dege, të vetëdijshëm për vlerat dhe standardet që na bashkojnë për të ndërtuar alternativën më të mirë të Partisë Demokratike për shqiptarët”, shkruan Basha.
Duke e konsideruar luftën kundër korrupsionit një nga prioritetet kryesore, Basha u njoftoi demokratëve të Shkodrës dy hetimet parlamenatre që pritet të nisin në shtator.
“Për këtë qëllim, lufta kundër korrupsionit është sot një nga prioritetet tona. Një rast i tillë është ligji për investitorët strategjikë, i cili është përdorur për të shpërblyer miqtë e kryeministrit me pasuritë tona publike. Ne do kërkojmë një hetim të thelluar parlamentar të investitorëve strategjikë, atyre që përfitojnë dhe bashkëndajnë me qeveritarët e korruptuar pasuritë e këtij vendi, ndërsa shqiptarët mbeten ndër popujt më të varfër dhe më të keqpaguar. Askush nuk do të jetë mbi ligjin!”, tha Basha.