Policia serbe gjen emigrantë dhe armë në kufirin me Hungarinë!

vovalbania August 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Policia serbe gjen emigrantë dhe armë në kufirin me Hungarinë!

Policia serbe ka gjetur 300 emigrantë dhe një sasi të madhe të armëve në një zonë pyjore pranë kufirit me Hungarinë, tha sot Ministria e Brendshme serbe.

E ashtuquajtura Rruga Ballkanike për emigrantë, që kalon përmes Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, është rruga kryesore që emigrantët dhe refugjatët përdorin për të arritur në Bashkimin Evropian (BE). Kjo rrugë po ashtu përdoret edhe nga rrjetet e trafikimit.

Në njofim u tha se 13 emigrantë janë arrestuar në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, ndërkaq 27 të tjerë janë përballur me kundërvajtje.

“Gjatë kontrolleve në zonën nga vendbanimi Hajdukovo për në Stara Karaula, në pyllin Jasenovac dhe në kampin Omar, janë gjetur nëntë pushkë automatike, një pushkë gjuetie, tri pistoleta dhe 841 pjesë të municionit”, tha Ministria e Brendshme e Serbisë.

Emigrantët, në bashkëpunim me policinë dhe komisariatin serb për refugjatë dhe emigrantë, u transportuan në qendra të pranimit, ku iu ofrua akomodimi i duhur. Zona kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë së fundi ka qenë një vend ku ka pasur konflikt mes grupeve të trafikantëve.

Banorët e zonës afër Suboticës, që gjendet pranë kufirit me Hungarinë, më herët kishin raportuar për të shtëna në zonën pyjore. Në qershor të vitit 2023, tre persona u plagosën nga të shtënat afër Suboticës. Policia më pas arrestoi dy persona për këtë rast.

Gjatë një konfrontimi mes grupeve të trafikantëve, që ndodhi korrikun e vitit të kaluar në po të njëjtin vend, u vra një person dhe disa të tjerë u plagosën. Pavarësisht kontrolleve të ashpra dhe kthimit të tyre mbrapsht, emigrantët vazhdimisht tentojnë të arrijnë në BE përmes kufirit me Serbisë dhe Hungarisë.

Hungaria ka ashpërsuar masat në kufi dhe ka ndërtuar edhe një barrierë përgjatë kufirit që ndan me Serbinë dhe Kroacinë, që është 175 kilometra i gjatë.

Radio Evropa e Lirë kishte raportuar në korrik të vitit 2022 se trafikantët kërkojnë nga emigrantët 7 deri në 10 mijë euro për t’i dërguar deri në shtetet e BE-së.

Ndërkaq, sipas ligjeve në Serbi, persona që mundësojnë kalimin ilegal të kufirit mund të dënohen nga gjashtë muaj deri me 5 vjet burgim, ndërkaq dënime më të ashpra ka për personat që janë anëtarë të grupeve të organizuara kriminale.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65781 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE