BB: Rritja ekonomike në Shqipëri nuk reflektohet si mirëqenie, varfëria mbetet kokëfortësisht e lartë!

vovalbania August 03, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
BB: Rritja ekonomike në Shqipëri nuk reflektohet si mirëqenie, varfëria mbetet kokëfortësisht e lartë!

Pavarësisht rritjes ekonomike të vendit ndër vite, kjo e fundit nuk reflektohet në mirëqenie të popullatës në varfëri. Ky është një konstatim i Bankës Botërore në një raport të fundit që analizon ndikimet e projektit të modernizmit të asistencës sociale, i zbatuar për disa vite nga qeveria, me mbështetjen e saj.

Konkretisht në pjesën e fundit të analizës, BB ndalet dhe te ecuria e përgjithshme e varfërisë.

Shkalla e varfërisë në Shqipëri ka mbetur kokëfortësisht e lartë, pavarësisht periudhave të rritjes ekonomike edhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Me një shkallë rreth 29.3% e popullsisë vlerësuar në vitin 2022, shkalla absolute e varfërisë në Shqipëri (e matur me 5.5 dollarë amerikanë për person në ditë sipas fuqisë blerëse [PPP]) është aktualisht pothuajse dyfishi i normave të vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor për të cilat ekzistojnë të dhëna të krahasueshme të kohëve të fundit që vlerësojnë varfërinë. Shkalla e varfërisë duket se është ulur në mënyrë të konsiderueshme midis 2016 dhe 2018, por tërmeti i nëntorit 2019, i ndjekur nga pandemia COVID‐19, fillimisht përmbysi trendin e më pas ngadalësoi shkallën e uljes së varfërisë. Ajo që vihet re është se lidhja midis rritjes së PBB-së dhe shkallës së varfërisë ka qenë shpesh negative në 20 vitet e shkuara, rritja nuk reflektohet në mirëqenien e njerëzve më vulnerabël në Shqipëri.

Në një tjetër pikë, banka vlerëson se Shqipëria është relativisht më mirë për sa i përket shkallës së atyre që rrezikojnë të bien në varfëri e llogaritur nga Eurostat-i në Ballkanin Perëndimor, por gjithsesi, ka një normë më të lartë se mesatarja e BE-së.

Eurostat vlerëson shkallën relative të varfërisë, ose shkallën e rrezikut nga varfëria, si përqindje e njerëzve me të ardhura më pak se 60% e të ardhurave mesatare kombëtare të ekuivalizuara. Në Shqipëri, rezultatet e EU‐SILC për vitin 2019 tregojnë se rreth 659,000 individë (23% e totalit), ose gati 173,421 familje jetojnë nën pragun e rrezikut nga varfëria.

Kjo përqindje është e krahasueshme me vendet e tjera të rajonit. Por, varfëria relative është ende më e lartë se mesatarja e BE-së prej 16.5% në të njëjtin vit.

Lidhur me projektin e modernizimit të asistencës sociale ku një element i rëndësishëm sipas bankës është ndihma ekonomike dhe vendosja e sistemit të pikëzimit që ndryshoi qasjen e vjetër, ndikimet kanë qenë pozitive në zbutjen e varfërisë. Projekti u bë efektiv në vitin 2012 dhe parashikohej të mbyllej në vitin 2017, por në fakt pas një rishikimi u shty për më 31 dhjetor 2022. Banka ofroi një financim rreth 60 milion USD. /Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65720 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE