Moska: Dëmtohet një cisternë nafte ruse nga një sulm me dronë në Ngushticën e Kërçit!

vovalbania August 05, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Moska: Dëmtohet një cisternë nafte ruse nga një sulm me dronë në Ngushticën e Kërçit!

Një cisternë nafte ruse SIG, u dëmtua nga një sulm ukrainas me dronë në Ngushticën e Kërçit, pranë një ure që lidh Krimenë e aneksuar nga Moska me Rusinë. Sipas Qendrës së Koordinimit të Shpëtimit Detar, po punohet për ta rimorkiuar anijen, pasi nuk mund të lundrojë pas sulmit.

Fillimisht, kanalet ruse në Telegram raportuan se shpërthimet ndodhën në Ngushticën e Kërçit, duke dëmtuar një cisternë nafte dhe bllokuar përkohësisht trafikun mbi urë. Ukraina ende nuk ka reaguar.  Cisterna e naftës SIG u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, për shkak se furnizonte forcat ruse në Siri, me karburant për avionë.

Kjo ndodhi një ditë pasi një anije e Marinës Ruse u dëmtua rëndë nga një sulm me dronë në portin Novorossiisk. Për këtë sulm, përgjegjësinë e mori Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës.

Një dron ukrainas me 450 kilogramë eksploziv TNT, goditi bazën e Marinës Ruse në Novorossiisk, duke i shkaktuar dëme të mëdha një anijeje luftarake të Rusisë që ishte ankoruar aty.

Në Detin e Zi, sulmet janë rritur që nga koha kur Rusia nuk pranoi të vazhdojë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Turqia e Kombet e Bashkuara (OKB) për eksportimin e drithërave ukrainase përmes detit.

Në fushëbetejë, forcat ukrainase vazhduan ofensivat e tyre në pjesët e rajonit jugor Zaporizhzhya, Berdiansk e Melitopol.  Pati 36 beteja në 24 orët e fundit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se luftime “shumë mizore” po ndodhin në fushëbeteja.

Ndërkaq, sot në Arabinë Saudite nisin bisedime ndërkombëtare për luftën në Ukrainë. Kievi dhe aleatët shpresojnë se do të arrijnë marrëveshje për parime kyçe mbi mënyrën si t’i japin fund luftës ruse. Në këtë takim do të jenë këshilltarë të sigurisë kombëtare e të tjerë përfaqësues të lartë nga rreth 40 vende të botës, përfshirë Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe e Shtetet e Bashkuara, por jo Rusinë.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65847 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE