Tre viktima nga sulmet ajrore ruse në Ukrainë/Kievi: Shkatërruam raketa e dronë!
Tre persona janë vrarë gjatë sulmeve ajrore dhe bombardimeve të vazhdueshme ruse natën mes 5-6 gushtit në Harkiv të Ukrainës. Po ashtu u plagosën katër vetë sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Oleh Syniehubov.
Mbrojtja Ajrore e Ukrainës njoftoi se u përball me sulme masive dhe shtoi se shkatërroi raketa e dronë që në shënjestër kishin zona të ndryshme të vendit.
Sistemi mbrojtës shkatërroi 12 prej 14 raketave të hedhura nga deti, para se të arrinin objektivat e tyre. Edhe të 27 dronët Shahed u shkatërruan.
Më herët, presidenti ukrainas Zelensky tha se “Rusia goditi me bombë një qendër të transfuzionit të gjakut në Kupiansk, në rajonin e Harkivit.
Vetëm ky krim lufte tregon gjithçka për agresionin rus.
Rusia nuk ka komentuar rreth këtij sulmi. Në të kaluarën, Moska i ka mohuar akuzat se po sulmon civilët apo se ka kryer krime lufte.
Qyteti Kupiansk dhe zonat përreth ranë nën kontrollin e trupave ruse në ditët e para të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, në muajin shkurt të vitit të kaluar. Por, u çliruan gjatë një kundërofensive ukrainase në shtator.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky shtoi:
Të mposhtësh terroristët është çështje nderi për çdo njeri që çmon jetën.
Ky sulm ndodhi vetëm një ditë pasi Moska tha se një cisternë nafte ruse SIG, u dëmtua nga një goditje ukrainase me dronë në Ngushticën e Kërçit pranë një ure që lidh Krimenë e aneksuar nga rusët me Rusinë. Sipas Qendrës së Koordinimit të Shpëtimit Detar, po punohej për ta rimorkiuar anijen, pasi nuk mund të lundronte pas sulmit.
Cisterna e naftës SIG u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2019, për shkak se furnizonte forcat ruse në Siri, me karburant për avionë.
Në Detin e Zi, sulmet janë rritur që nga koha kur Rusia nuk pranoi të vazhdojë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Turqia e Kombet e Bashkuara (OKB) për eksportimin e drithërave ukrainase përmes detit. Kremlini i tha “JO” zgjatjes së afatit përtej 17 korrikut.