Ish-zv.presidenti amerikan Pence mund të dëshmojë në gjyq kundër Trump-it!
Mike Pence nuk e hedh poshtë mundësinë për të qenë dëshmitar i prokurorisë, nëse Donald Trump përfundon në gjyq për orkestrim komploti, për të shfuqizuar humbjen në presidencialet e 2020-ës. I pyetur nga CBS nëse do të bëhet dëshmitar në rast gjykimi, ish-zv.presidenti republikan amerikan tha se nuk ka “plane” për të dëshmuar, por nuk e hodhi poshtë mundësinë.
Njerëzit mund të kenë besim se ne do t’i bindemi ligjit, ne do t’i përgjigjemi thirrjes së ligjit nëse vjen dhe thjesht do të themi të vërtetën.
Edhe Pence është në garë për të siguruar nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Ai u bë figurë qendrore në aktakuzën e 1 gushtit të Departamentit të Drejtësisë e që ish-presidentin amerikan e ngarkon me akuza se ka tentuar të mbetet në pushtet në mënyrë të paligjshme pasi humbi zgjedhjet presidenciale kundër demokratit Joe Biden.
Para dhe gjatë certifikimit të fitores së Biden-it në Kongres më 6 janar 2021, Pence mbikëqyri procedurat në rolin ceremonial si president i Senatit. Ai u përball me trysni të madhe nga Trump-i për ta shfuqizuar rezultatin e zgjedhjeve, por refuzoi.
Disa nga përkrahësit e Trump-it, të cilët shkaktuan trazira në Kapitol, thërritën: “Vareni Mike Pence!”.
Presioni i vazhdueshëm dhe “shënimet” që Pence mori gjatë procedurave e trazirave të 6 janarit 2021, citohen shpesh në aktakuzën e javës së kaluar kundër Trump-it.
Në një pikë, aktakuza i referohet një telefonate të 1 janarit 2021, gjatë së cilës Trump kritikoi Pence-in pse nuk mori pjesë në planin për të shfuqizuar rezultatin e zgjedhjeve.
Ju jeni shumë i sinqertë!
Dëshmia e mundshme e Pence-it dhe shënimet e tij mund të bëhen pjesë kryesore për rastin e prokurorisë kundër ish-presidentit. Për herë të parë në fushatë, dje Trump e sulmoi ish-zv.presidentin, duke mohuar se e ka cilësuar “tejet të sinqertë”, por e quajti “Mike Pence i vogël”.
Fushata presidenciale e Pence-it po dështon dhe ai rrezikon të mos ia dalë të jetë në debatin e parë republikan presidencial në fund të muajit, për shkak të mungesës së donatorëve. Ndërkaq, Trump kryeson bindshëm në garën e republikanëve, pasi ka rritje në sondazhe sa herë ka aktakuza ndaj tij.