Debati për kullën “Mali i Tiranës”, Veliaj: Sherr mes dy copave të PD-së, kokat hëngshin/Veliaj: Ka analistë që jetojnë në vila nga gjobëvënia!

vovalbania August 13, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Debati për kullën “Mali i Tiranës”, Veliaj: Sherr mes dy copave të PD-së, kokat hëngshin/Veliaj: Ka analistë që jetojnë në vila nga gjobëvënia!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e quan “të stisur” debatin për “Malin e Tiranës”. Sipas tij, “çdo gjë është bërë transparente”, duke hedhur poshtë akuzat e PD-së, si dhe të tjerëve të përfshirë në debat.

Sot është shumë më e vështirë të marrësh vendim për të shpronësuar 20 mijë m2 që kushtojnë 20 milion euro. I bie t’i heqësh qytetit investimet për një 1 ose 2 vite. Kjo nuk qëndron. Për sqarim, zona që ishte dhënë për ndërtim në gropën e Hajdin Sejdisë, mirëmbahej nga Bashkia e Tiranës për efekt estetik derisa të kishte një vendimmarrje tjetër. Unë kam qenë anëtar në konkursin për studion fituese të kullës dhe të gjitha personazhet që sot shfaqen të shokuar, e kanë pasur në transmetim live, në transparencë totale.

Grupi danez ishte aq impresionues, e kishin bërë me aq pasion dhe kishin aq detaje, sa juria u impresionua e vendosi unanimisht. Kjo vendimmarrje ndodhi live në televizion. Në mars u dha leja nga Këshilli Kombëtar, por edhe kjo ishte publike. Menjëherë pasi mbaron mbledhja, botohen në Fletoren Zyrtare, botohen online. Pra, të thuash që këta zbuluan diçka në gusht është krejtësisht patetike.

Veliaj nënvizoi se i gjithë ky debat i stisur është një sherr mes dy copave të PD-së.

Ajo që në fakt ndodhi është se në korrik rikonfirmohet një segment i Partisë Demokratike në detyrë, që është PD-ja e vulës dhe fillon sherrin e brendshëm me PD-në e Saliut, nëse mund ta quaj kështu. Kështu që është një sherr mes dy copave të PD-së sepse ata mendojnë se si në kohë të tyre, ku çdo gjë bëhej me gjobëvënie, ku çdo gjë bëhej për të copëtuar dhe për të trajtuar qytetin si plaçkë, ata mendojnë se kështu bëjnë të gjithë.

Duke qenë se Saliu vriste vetë, ai mendon që të gjithë njerëzit vrasin, siç ndodhi më 21 janar. Duke qenë se Gërdeci ishte planifikuar nga i biri i tij paraprakisht, edhe gjithçka që ndodhi aty, përfshirë rastin fatkeq te hedhjes në erë të 26 vetëve, ai mendon se kështu i bëjnë të gjithë njerëzit planet. Pra, në Partinë Demokratike janë problemi dhe sherri brenda llojit sepse ata besojnë e mendojnë që të gjithë shqiptarët funksionojnë kështu. Por, nuk është kështu. Ndodhi në mënyrë transparente.

Kryebashkiaku shtoi se ata analistë që akuzojnë sot, janë të gjithë me vila, që kryesisht i kapin me gjobëvënie.

Vetë janë të gjithë me vila, që kryesisht i kapin nga gjobëvënia. Keni sot gazetarë dhe analistë që jetojnë shumë më mirë se ata njerëz që kanë 30-40 vite që punojnë. Kështu që në këtë sens, këtu është bërë një lëmsh mes dy copave të Partisë Demokratike dhe mendojnë që do i lajnë hesapet e tyre në kurriz të Tiranës. Përsa i përket Bashkisë së Tiranës, konkursi ishte transparent, transparente leja, transparente taksa.

Kurse për sa i përket sherreve që ka brenda Partisë Demokrate thoshin gjyshet tona: Kokat hëngshin! Por, në qoftë se mendoni se ne jemi duke i qarë hallin kë të ndihmojmë vulën apo Saliun, unë them përsëri kokat hëngshin sepse Shqipëria ka parë keq si nga ajo familje e bashkuar, si nga ajo familje e copëtuar. Kanë prodhuar vetëm ligësi.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65820 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE