Turqia regjistron temperaturë rekorde, ekspertët: Vala e të nxehtit në Mesdhe do vazhdojë deri në vitin 2040!
Turqia ka regjistruar temperaturë rekorde prej 49.5 gradësh Celsius, teksa ekspertët kanë paralajmëruar se trendi i valës së të nxehtit në Mesdhe do të vazhdojë deri në vitet 2040.
Temperatura rekorde është regjistruar të martën në provincën Eskishehër, ka thënë ministri turk i Ambientit, Mehmet Ozhaseki në rrjetin social X, të njohur më parë si Twitter.
Sipas tij, rekordi paraprak është regjistruar më 2021, 49.1 gradë Celsius. Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar të mërkurën se vala e të nxehtit do të vazhdojë t’i rrisë temperaturat normale të sezonit për 11 gradë.
Arsyeja kryesore mbrapa kësaj vale besohet se qëndron te ndryshimet klimatike, ka thënë Baris Onol, profesor i meteorologjisë në Universitetin Teknik të Stambollit.
Ndonëse fenomeni El Nino, që aktualisht është aktiv, ndikon në rritje të temperaturave, valët e të nxehtit janë bërë viteve të fundit më të shpeshta dhe më të gjata, ka thënë Onol për agjencinë e lajmeve DPA.
“Turqia do të jetë më e ekspozuar ndaj temperaturave të larta në 30 deri në 40 vjetët e ardhshëm, sikurse gjithë rajoni i Mesdheut”, ka thënë Onol.
Ai ka parashikuar që piku i sezonit turistik në të ardhmen do të bartet në shtator dhe tetor.