Greqia vazhdon luftën me zjarret mes temperaturave të larta!
Greqia është sërish nën kërcënimin e flakëve. Zjarret e shkurreve e në pyje të mëdha janë duke dalë nga kontrolli në verilindje të vendit fqinj. Kjo për shkak të temperaturave të larta, erërave të forta e po ashtu një thatësire që po zgjat me javë të tëra.
Sot raportohet se flakët kanë arritur nëpër fshatra në rajonin e Aleksandropolisit, duke dëmtuar shumë shtëpi e toka bujqësore, referuar të dhënave më të fundit të autoriteteve greke.
Zjarri u ndez një ditë më parë. Zjarrfikësit kanë përdorur avionë e helikopterë për shuarjen e tij, në mënyrë që ta mbajnë nën kontroll, për të mos lejuar përsëritjen e skenave apokaliptike si ato të fundit të muajit korrik që çuan në viktima, shkatërrime masive e pushime të anuluara për shumë turistë të huaj.
“Ishte një natë shumë e vështirë”, u shpreh kryetari i bashkisë Aleksandropolis, Giannis Zamboukis, duke folur për radion shtetërore. Ai bëri të ditur se tetë fshatra në afërsi të qytetit janë evakuuar plotësisht.
Katër njerëz u dërguan në spital për shkak të problemeve shëndetësore të shfaqura me frymëmarrjen. Por, atraksionet turistike nuk janë në rrezik.
Nuk është e qartë se çfarë i shkaktoi zjarret, por ato u përhapën shpejt, të ndihmuara nga erërat e forta dhe thatësira e vazhdueshme. Në total, 46 zjarre në pyje e në shkurre u aktivizuan në të gjithë vendin, një ditë më parë, siç njoftoi brigada e zjarrfikësve.
Më herët gjatë ditës së sotme, Shërbimi Civil i Greqisë publikoi një hartë për të treguar se shkalla e dytë më e lartë e rrezikut për zjarret vlen për shumë pjesë të këtij vendi. Këto ditë, temperaturat në Greqi shënojnë 39 gradë Celcius e pritet të vazhdojnë në vlera të larta edhe në ditët në vijim, sipas asaj që bën të ditur Zyra e Meteorologjisë, bazuar në parashikimet e fundit.