Shkencëtari rus, i cili ishte në krye të misionit që dështoi në Hënë, dërgohet me urgjencë në spital!
Një shkencëtar rus që ëndërronte prej kohësh që Rusia të prekte sipërfaqen e Hënës, është dërguar në spital pas rrëzimit të Luna-25. Anija kozmike robotike Luna-25 hyri në orbitën hënore të mërkurën e kaluar, ku më pas u zhduk nga radarët. Agjencia hapësinore Roscosmos tha:
Luna-25 përjetoi një situatë emergjente dhe papritur e ndërpreu ekzistencën e tij.
Mikhail Marov, 90 vjeç, të cilin mediat lokale e përshkruan si një konsulent kyç në ekspeditë, pësoi përkeqësim të shëndetit kur mësoi se misioni dështoi. Astronomi ka thënë për median RBC dhe gazetës Moskovsky Komsomolets se dështimi në këtë mision ishte shkatërrues, e kjo gjë ndikoi në përkeqësimin e shëndetit të tij.
Jam nën vëzhgim. Si të mos shqetësohem, kjo është kryesisht një çështje jete. Gjithçka është shumë e vështirë. Është e trishtueshme që nuk arritëm ta vendosim pajisjen. Për mua, kjo ishte ndoshta shpresa e fundit për të parë ringjalljen e programit tonë hënor.
Marov i kishte kërkuar zyrtarëve që të mos e mbanin të fshehtë dështimet e projektit. Profesori i Fizikës Planetare në Universitetin Shtetëror të Moskës dhe një lojtar kryesor në udhëtimet e Rusisë në Mars dhe Venus, është shtruar në Spitalin Klinik Qendror të Moskës. Klinika, e ndërtuar në një zonë periferike të pyllëzuar të Kuntsevo, është shumë e mbrojtur dhe shpesh njihet si “Spitali i Kremlinit”. Misioni Luna-25, i cili u nis më 11 gusht, ishte kapitulli i fundit në karrierën e gjatë të Marov në eksplorimin e kozmosit. Rusia shpresonte se roveri do të bëhej i pari që do të arrinte në rajonin polar jugor të hënës, që thuhet se përmban akull uji.