22 vjet nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Amerikë!
Mëngjesin e 11 shtatorit 2001, banorët e Nju Jorkut po bëheshin gati të nisnin ditën kur një avion i rrëmbyer goditi qëllimisht njërën kullë të Qendrës Botërore të Tregtisë. Ishte ora 08:46. Vetëm 17 minuta më vonë, një avion tjetër, po ashtu i rrëmbyer, u përplas me kullën e dytë.
Dy ndërtesat 110-katëshe, më të lartat në Nju Jork u përfshinë nga flakët, ndërsa qindra punonjës të shërbimit të urgjencës nxituan drejt kullave për të ndihmuar personat e bllokuar.
Presidenti i kohës, George Ë. Bush ishte duke vizituar një shkollë në Florida kur ndodhën sulmet. Ngjarjen në Nju Jork e cilësoi “sulm terrorist kundër vendit”.
Vetëm pak minuta pas deklaratës së tij, në orën 09:37, avioni i tretë i rrëmbyer u përplas qëllimisht në njërën anë të ndërtesës së Pentagonit, pranë Uashingtonit.
Avioni i katërt që besohet se kishte në shënjestër ndërtesën e Kongresit, gjithashtu në Uashington, u rrëzua në një fushë në Pensilvani pasi pasagjerët u përleshën me rrëmbyesit.
Në total, 2.977 njerëz, pa përfshirë 19 rrëmbyesit e avionëve vdiqën në sulme, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën.
Pse u sulmua Amerika?
Grupi përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit u identifikua si Al Kaeda, organizatë ekstremiste islamike që i planifikoi sulmet nga Afganistani. E udhëhequr nga Osama bin Laden, Al Kaeda fajësoi Amerikën për shumë nga problemet e botës. Grupi filloi planin e tij në vitin 1998. Më 2000-shin, sulmuesit kishin hyrë në Shtetet e Bashkuara.
19 vetë rrëmbyen avionët. Secili prej grupeve përfshinte një person të trajnuar për pilot në shkollat e fluturimit në SHBA. Zyrtarët amerikanë të sigurisë e dinin se grupi po synonte vendin, por nuk e dinin se ku dhe kur.
Si u përgjigjën SHBA-të?
Sulmet shkaktuan zemërim ndërkombëtar dhe Bush shpalli “luftë kundër terrorizmit”. Në tetor 2001, Amerika udhëhoqi pushtimin e Afganistanit, të cilit iu bashkangjitën vende të tjera.
Në atë kohë, Afganistani qeverisej nga talebanët, të cilët kishin aleancë me Al Kaedën. Misioni i SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera në Afganistan ishte të shkatërronin Al Kaëdën, të kapej Bin Laden dhe të largoheshin talebanët nga pushteti.
Amerika dhe aleatët e larguan me shpejtësi qeverinë talebane nga pushteti, por iu deshën dhjetë vjet që ta gjenin dhe ta vrisnin Osama bin Ladenin.
Përfshirja ushtarake në Afganistan vazhdoi me vite, duke u bërë lufta më e gjatë në historinë e Amerikës.
Në vitin 2021, njëzet vjet pas sulmeve të 11 Shtatorit, trupat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani e talebanët sërish morën kontrollin e këtij vendi.
Si ndryshuan gjërat pas 11 shtatorit?
Siguria e fluturimeve u rrit dhe u përmirësua shumë. Para 11 shtatorit, fëmijët mund të hynin në kabinën e pilotit dhe ta takonin. Por, një gjë e tillë u ndalua pas sulmeve, ndërsa dyert e kabinës u siguruan dhe u bënë rezistente ndaj plumbave.
Siguria në aeroporte, gjithashtu u bë më e rreptë. Por, SHBA-të dhe disa vende raportuan për rritje të islamofobisë.
Sot, 22 vjet më vonë, në vendin e Qendrës Botërore të Tregtisë, të njohura ndryshe si Kullat Binjake qëndron vetëm një ndërtesë, e njohur si Kulla e Lirisë.