Lejoi daljen nga vendi të një personi në kërkim, arrestohet oficeri i policisë në Durrës!
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, AMP ndaloi një oficer policie me detyrë ndihmës kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit.
Ndalimi i 23-vjeçarit me inicialet G.L u krye pasi dyshohet se në datë 17.09.2023 ka lejuar daljen jashtë shtetit nga PKK të një shtetasi të shpallur në kërkim për disa vepra penale. Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Reagoi ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Sipas tij, “forcimi i bashkëpunimit me SPAK-un, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, SHISH-in dhe të tjera agjenci ligjzbatuese në procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit është i domosdoshëm.
Ndërsa vijon me intensitet procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit, një tjetër punonjës policie është arrestuar në Policinë Kufitare të Durrësit, për një shkelje të rëndë. Forcimi i bashkëpunimit me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera ligjzbatuese në procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit është i domosdoshëm.
Hetimet për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm, do të na mundësojnë pastrimin e duhur dhe besimin e plotë të qytetarëve tek Policia e Shtetit.
Ndërkaq, në portin e Durrësit po vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e tentativave për të futur në Shqipëri para’ që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. Në bazë të analizës së riskut dhe informacioneve të siguruara paraprakisht, policia sekuestroi 251 295 euro e medikamente mjekësore.
Operacioni, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e grupeve kriminale që tentojnë pastrimin e parave, si dhe për sekuestrimin e aseteve dhe vlerave monetare që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. 58-vjeçari i arrestuar vinte nga Italia dhe tentoi t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar paratë dhe medikamentet që kishte fshehur në automjetin e tij.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fluksi 4″, i zhvilluar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, u kap në flagrancë dhe u arrestua Muhamed Hoxha, 58 vjeç, banues në lagjen nr.13.
Ai kishte fshehur në automjetin e tij 251 295 euro dhe medikamente, me qëllim futjen e tyre në Shqipëri pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi.
Shuma e parave dhe medikamentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Durrësit, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”.