Zgjedhjet në Kukës, Albert Halilaj drejt konfirmimit si kryebashkiak!
Një ditë pas zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë Kukës, vijon numërimi i votave, proces që ka mbaruar për të paktën 60 nga 74 kuti. Kandidati socialist Albert Halilaj kryeson bindshëm përballë rivalit Emri Vata nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Diferenca sa vjen e thellohet për Halilajn duke kaluar mbi 4 mijë e 400 vota.
Këtë avantazh të dukshëm, kryeministri Edi Rama e konsideron “tregues të qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj qeverisë”. Më herët, teksa diferenca ishte prej rreth 3 mijë votash, shefi i qeverisë shkroi:
Kur janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit ka një avantazh të pakthyeshëm prej thuajse 3000 votash, i cili do të thellohet ende deri në kurorëzimin e një fitoreje shembullore, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin.
Sipas KQZ-së, në listat e votimit ishin të regjistruar 45 946 persona me të drejtë vote, 22 174 prej të cilëve votuese femra dhe 23 772 janë votues meshkuj. Si subjekte zgjedhore, në këto zgjedhje u regjistruan pesë parti politike: PS, PL, PD, PDK dhe PEI. Po si subjekt zgjedhor u regjistrua edhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Zgjedhësit votuan në 74 qendra, një prej të cilave e ngritur në institucionin e paraburgimit të qarkut Kukës. Për identifikimin e tyre u zbatua Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe u përdorën Pajisje Elektronike të Identifikimit.
Votuesi duhej të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit linte edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.
Në 37 qendra votimi, katër anëtarë të komisionit ndaheshin mes PD-së dhe PL-së. Ndërsa në 37 të tjera, përbërja e komisioneve të qendrave të votimit është me tre anëtarë të propozuar nga PS, tre nga PD dhe një i propozuar nga PL.
Këto zgjedhje i kushtojnë Buxhetit të Shtetit 25 457 496 lekë.