Ditë zie në Kosovë, Rama: Nderim për efektivin që dha jetën në krye të detyrës!
Sot është ditë zie në Kosovë për vrasjen e efektivit të policisë, Afrim Bunjaku, dje në Banjskë. Në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, mori vendim që e hëna, 25 Shtator 2023 të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit. Në njoftimin zyrtar të Presidencës thuhej:
Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Në një status në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama shkruan:
Me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës.
Rreth 12 orë nga vrasja, Njësia Speciale e Kosovës përfundoi aksionin në Manastirin e këtij fshati në veri, duke arrestuar sulmues serbë. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se u zbulua sasi e jashtëzakonshme armatimi e kalibrit të rëndë. Tre prej personave të përfshirë u vranë, gjashtë të tjerë u prangosën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti “formacion profesionist” grupin e personave që kreu sulmin e armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku. Në ceremoninë e ndezjes së qirinjve, Kurti tha se më shumë informata mbi sulmuesit e dyshuar priten në vazhdim.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç akuzoi Kosovën për mashtrim, si dhe mohoi që Serbia është përgjegjëse për vrasjen e efektivit Afrim Bunjaku. Vuçiç tha se fajtori i vetëm i gjithë situatës në veri është Albin Kurti. Sipas tij, serbët u ngujuan në Manastir pasi ishin 2 të plagosur që kërkonin ndihmë.
I dërguari i Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se ditët në vijim do të përqendrohet për të gjetur një rrugë përpara në dialog. Kjo pas sulmit më armë ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, me pasojë vdekjen e rreshterit, Afrim Bunjaku. Lajçak tha se mbeti i tronditur:
Të tilla akte të dhunës janë thellësisht shqetësuese dhe kundër parimeve të paqes e bashkëpunimit. Ky sulm e thekson më shumë nevojën për dialog e diplomaci parandaluese që u nënvizua javën e kaluar kur mora pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Për të gjetur një rrugë përpara në rajon e në veçanti në dialog, unë kisha bisedime strategjike me partnerët tanë amerikanë.