Irak, dasma kthehet në tragjedi/100 viktima në veri të vendit!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![Irak, dasma kthehet në tragjedi/100 viktima në veri të vendit!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2023/09//irak-dasma-kthehet-ne-tragjedi-100-viktima-ne-veri-te-vendit.jpg)
Gëzimi u kthye në tragjedi në Irak ku të paktën 100 vetë gjetën vdekjen dhe 150 u lënduan kur një zjarr shpërtheu në një ceremoni martesore në veri. Qindra njerëz po festonin në Al-Hamdaniya në provincën veriore të Irakut, Nineveh. Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi zjarrin, por dyshohet se ishin fishekzjarrët.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Irakut, INA, raportoi se numri i atyre që ndërruan jetë ka shkuar në 100 dhe se më shumë se 150 të tjerë janë lënduar, sipas të dhënave të autoriteteve vendore në Nineveh.
Numri i viktimave u konfirmua për agjencinë e lajmeve AFP edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Irakut, Saif al-Badr. Badr tha se shumica e të lënduarve po trajtohen për djegie apo probleme të ndryshme me frymëmarrjen.
Në një komunikatë për media, autoritetet irakiane thanë se panelet e parafabrikuara brenda sallës ku u mbajt dasma ishin “tejet të djegshme dhe nuk i përmbushnin standardet e sigurisë”. Në një deklaratë, autoritetet theksuan:
Panelet që përmbanin lëndë plastike, lëshuan gazra toksike pas djegies. Disa pjesë të tavanit ranë si pasojë e flakëve dhe kjo për shkak të materialit të lirë e tejet të djegshëm.
Rania Waad, një e ftuar në këtë dasmë, e cila pësoi djegie në pjesën e dorës tha se kur nusja dhe dhëndri po vallëzonin, “fishekzjarrët filluan të preknin në tavan duke bërë që e tërë salla të merrte flakë”.
Ne nuk mund të shihnim gjë. Na zihej fryma dhe nuk dinim si të dilnim jashtë sallës.
Në një komunikatë të shkurtër për media, kryeministri i Irakut, Mohamed Shia al-Sudani, iu bëri thirrje autoriteteve shëndetësore dhe ministrave të kabinetit që “të mobilizohen” për të ndihmuar viktimat e zjarrit.