SHBA, në grevë mbi 75 mijë punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor!

vovalbania October 05, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
SHBA, në grevë mbi 75 mijë punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor!

Në Shtetet e Bashkuara, mbi 75 mijë punonjës të rrjetit të kujdesit shëndetësor Kaiser Permanente, sot filluan një grevë tre-ditore. Ka të ngjarë që kjo të shtyjë vizitat mjekësore, rezultatet e testeve dhe marrjen e recetave për medikamente.

Kaiser Permanente, një kompani spitalesh, farmacish e klinikash me qendër në Kaliforni u shërben afro 13 milion amerikanëve.

Koalicioni i Sindikatave Kaiser Permanente, i cili përfaqëson rreth 85 mijë punonjës të kompanisë, njoftoi grevë tre-ditore në Kaliforni, Kolorado, Oregon e në shtetin e Uashingtonit, si dhe një grevë njëditore në Virxhinia e në Uashington D.C, pasi negociatat për kontratën e punës ngecën gjatë natës.

Mbi 75 mijë punonjës të Kaiser Permanente pritet t’i bashkohen grevës. Nga ata që janë në grevë, një ankesë kryesore është se mungesa e personelit po mbingarkon punonjësit dhe po vonon kujdesin jetik shëndetësor.

Po bëjmë grevë për pacientët tanë!

Rrjeti Kaiser Permanente premtoi se 39 spitalet e tij, përfshirë pavionet e urgjencës do të qëndrojnë të hapura pasi mjekët dhe shumë infermierë nuk po bëjnë grevë. Por, procedurat jo emergjente mund të vonohen dhe koha e pritjes për telefonatat te shërbimi ndaj klientit mund të zgjatet.

Sindikatat e punonjësve të rrjetit Kaiser kërkuan pagë minimale prej 25 dollarësh për orë në gusht, e pasuar nga rritje prej 7% në dy vitet e ardhshme dhe 6.25% në dy vitet më pas.

Anëtarët e sindikatës thonë se mangësitë në personel po e ndihmojnë rrjetin Kaiser Permanente të vjelë fitime masive në dëm të shëndetit të pacientëve, duke i akuzuar drejtuesit për mashtrim në negociata. Rrjeti Kaiser propozoi paga minimale nga 21 deri në 23 dollarë në orë në vitin 2024.

Që nga viti 2022, Kaiser ka punësuar 51 mijë punonjës dhe po kërkon të shtojë 10 mijë të tjerë brenda muajit.

Të ardhurat operative të sistemit spitalor ishin 25 miliardë dollarë në tremujorin e dytë të këtij viti, një rritje prej 7% nga shifrat e mëparshme. Fitimin prej 2.1 miliardë dollarësh në atë tremujor, rrjeti Kaiser ua atribuon investimeve të mençura, fitim që e ndihmoi kompaninë të rimëkëmbej nga një humbje prej 1.3 miliardë dollarësh vitin e kaluar.

Por, kompania gjigante e kujdesit shëndetësor ende është duke u mbrojtur nga fenomeni mbarëkombëtar i vendeve të paplotësuara të punës dhe rritja e inflacionit.

Greva vjen në një vit kur janë hedhur në grevë punëtorët në sektorët e argëtimit, hotelerisë e transportit. Në fund të shtatorit, presidenti Joe Biden iu bashkua grevës së punonjësve të prodhimit të makinave në Miçigan. Analistët politikë thonë se veprimi i tij ka inkurajuar sindikalistët në mbarë vendin.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE