E folura e njeriut është më e frikshme për kafshët e egra sesa tingujt e luanëve, studim!
Një studim i ri, nga Parku Kombëtar Kruger në Afrikën e Jugut, ka zbuluar se të folurit e njeriut është shumë më i frikshëm për kafshët e egra sesa tingujt e luanëve. Shkencëtarët luajtën regjistrime të njerëzve që thjesht flisnin përmes altoparlantëve. Altoparlantët ishin fshehur brenda gropave në Parkun Kombëtar. Fjalimi njerëzor i dëgjuar nga kafshët e egra përfshinte gjuhë rajonale të folura në Afrikën e Jugut. Rreth 95% e kafshëve ishin jashtëzakonisht të frikësuar dhe ikën me shpejtësi.
Në të kundërt, regjistrimet e luanëve që gjëmojnë dhe ulërijnë shkaktuan dukshëm më pak frikë te gjitarët e egër. Gjatë eksperimentit me tingujt e luanëve, disa elefantë u përpoqën të sulmonin altoparlantët. Gjetjet e studimit sugjerojnë se kafshët e egra, të cilat përfshinin antilopat, elefantët, gjirafat, leopardët dhe derrat e egër, kanë mësuar se kontakti me njerëzit është jashtëzakonisht i rrezikshëm për shkak të gjuetisë.
Në këtë kontekst, autorët e studimit theksojnë se kafshët e frikësuara përbëjnë një sfidë për zonat që mbështeten në turizmin e kafshëve të egra, sepse vizitorët që i afrohen padashje i trembin. Një nga autoret e studimit, profesoresha Liana Jeanette, i tha BBC-së se kërkimi fokusohet në “ekologjinë e frikës”, një koncept që merret me ndikimin e ndërveprimit midis grabitqarëve (përfshirë njerëzit) dhe gjahut.
“Grabitqarët vrasin prenë dhe kjo padyshim zvogëlon numrin e gjahut, por ajo që kemi treguar në studime të tjera është se frika që frymëzojnë grabitqarët mund të zvogëlojë vetë numrin e gjahut”,-tha profesoresha.