Sulmi në spitalin e Gazës, Brukseli zyrtar kërkon verifikime: Nuk ka asnjë justifikim!
Me luftimet gjithnjë e më të ashpra, agjencitë humanitare japin alarmin se situata po del nga kontrolli në Gaza, territor i banuar nga palestinezë dhe i kontrolluar nga Hamas, që më 7 tetor ndërmori sulmet kundër Izraelit. Në një deklaratë, numri një i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus theksoi nevojën që palët të ndalin dhunën. Zyrtari i lartë vuri në dukje se humbasin jetë, çdo sekondë që presin për të dërguar ndihma.
Kemi nevojë për akses të menjëhershëm për të nisur dorëzimin e pajisjeve mjekësore që mund të shpëtojnë jetë.
Izraeli vazhdon të mohojë me vendosmëri përfshirjen në masakrën e një spitali po në Gaza e ku humbën jetën 500 persona. Ndërsa këmbëngul se sulmi ishte pasojë e një rakete të rrëzuar të Xhihadit Islamik palestinez, ushtria izraelite publikoi foto për të cilat tha se tregojnë se mbi spital nuk kishte avionë të Izraelit.
Por, Xhihadi Islamik palestinez hedh poshtë pretendimin e zëdhënësit të ushtrisë izraelite se një lëshim i dështuar i raketës nga grupi militant qëndron pas tragjedisë në spitalin Al-Ahli të Gazës. Ndërsa akuzon Izraelin se gënjen, thotë se “këndi i gjuajtjes dhe intensiteti i zjarrit tregojnë se ishte një sulm nga ajri”.
Brukseli kërkon verifikim të të gjitha fakteve dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë lidhur me Gazën. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se “nuk ka asnjë justifikim për të shënjestruar një spital plot me civilë”.
Një tragjedi e pakuptimtë na ka tronditur që të gjithëve. Një spital në Gaza, strehë e qindra njerëzve të plagosur është shndërruar në një ferr zjarri. Skenat në spitalin Al-Ahli janë të tmerrshme e tepër shqetësuese. Të gjitha faktet duhet të vërtetohen dhe përgjegjësit duhet që të dalin para drejtësisë. Në këtë moment tragjik, ne të gjithë duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të mbrojtur civilët nga furia e kësaj lufte.