Përkeqësohet buxheti i bashkive në 9-mujor/ Të ardhurat ulen me -3.5%, shpenzimet rriten me 19%!

vovalbania October 31, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Përkeqësohet buxheti i bashkive në 9-mujor/ Të ardhurat ulen me -3.5%, shpenzimet rriten me 19%!

Buxheti i pushtetit vendor është përkeqësuar ndjeshëm në vitin 2023, teksa të ardhurat kanë pësuar rënie dhe shpenzimet janë rritur. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave që i takojnë 9-mujorit të vitit 2023, të ardhurat e Pushtetit Vendor arritën në 21,3 miliardë lekë me rënie -3,5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, shpenzimet për të njëjtën periudhë arritën në 45,7 miliardë lekë, shumë kjo 7,2 miliardë lekë ose 19% më e lartë se 9-mujori i vitit të kaluar. Të dhëna më të detajuara tregojnë se bashkitë shfaqën përkeqësim në grumbullimin e taksës së banesës, si edhe të tarifave të tjera lokale, zëri më i madh të ardhurave nga taksat e veta.

Të ardhurat nga taksat lokale në 9-mujor arritën në 16,6 miliardë lekë, vlerë 5.4% më pak se plani i periudhës dhe me -2,2% më pak se fakti i vitit 2022.

Taksat lokale zënë gati dy të tretat e të ardhurave të pushtetit vendor dhe këtë vit, arkëtimet nga ky zë ishin rreth 3,5 milion euro më pak se viti i kaluar edhe pse ekonomia kombëtare u rrit mbi 3% në 6-muajt e parë të vitit e arkëtimet në buxhetin e qeverisë kanë shënuar rritje.

Përkeqësimi më i madh në të ardhurat e buxhetit vendor ishte taksimi i ndërtesave. Arkëtimet nga taksa e ndërtesës ishin 8% më të ulëta se viti i kaluar, me një mungesë 3,6 milion euro. Në raport me planin e 9 mujorit, diferenca ishte edhe më e madhe, me rreth 10 milion euro.

Shumë bashki, sidomos ato të voglat janë duke vuajtur shpopullimin. Largimi jashtë dhe brenda vendit po prek shumë bashkitë me pak banorë e për rrjedhojë, po çon në mbylljen e bizneseve dhe braktisjen e banesave. Rënia e shpejtë e lindjeve, emigrimi i të rinjve dhe plakja e popullsisë banuese po krijojnë vështirësi.

Më reformën e re territoriale, bashkitë mbulojnë me shërbime edhe ish-komunat. Por, analizat dhe studimet e Kombeve të Bashkuara kanë treguar se shërbimet në zonat rurale janë përkeqësuar, duke bërë që të shpopullohen me tej dekadën e fundit.

Nga ana tjetër, bashkitë po mbajnë një nivel të lartë shpenzimesh që po rriten nga viti në vit, kryesisht prej transferimit të disa funksioneve nga pushteti qendror te ai lokal, rritja e pagave etj, në një kohë që të ardhurat po bien./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE