Parlamenti i Maqedonisë së Veriut nuk miraton ligjin “Për amnistinë”!

vovalbania November 02, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut nuk miraton ligjin “Për amnistinë”!

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut hodhi poshtë projektligjin për amnistinë, të propozuar nga qeveria. Drafti parashikonte lirimin nga burgu të personave të dënuar deri në 6 muaj burg, ndërsa të dënuarit me mbi 6 muaj heqje lirie do të përfitonin ulje të dënimit në nivelin 30%.

Kundër propozimit të Ministrisë së Drejtësisë votuan 66 deputetë, ndërsa 17 ishin për nisjen e debatit dhe miratimin e ligjit. Para nisjes së seancës, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, u shpërndau deputetëve foto me pamje të rënda të burgjeve.

Ai tha se qëllimi i amnistisë ishte shpopullimi i burgjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për të burgosurit.

Dënimi është diçka që është kryer ndërsa amnistia është diçka që do të mundësojë socializimin dhe do të ketë efekt social. Synimi themelor është gjendja alarmante në burgje, andaj janë dhënë rekomandime dhe konstatime nga shumë institucione përkatëse. Ligji për amnisti është nevojë e menjëhershme…Një shtet që nuk i trajton të burgosurit si qenie njerëzore, nuk mund të quhet shtet.

Në rast miratimi të ligjit, nga 2.114 të dënuar do të liroheshin 286, ndërsa do të amnistoheshin pjesërisht 996 të tjerë. Amnistia nuk vlente për personat e dënuar me burgim të përjetshëm, si ata për vrasje, përdhunim e disa kategori të tjera të burgosurish.

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE kishte paralajmëruar mbi 1 mijë amendamente për të kundërshtuar miratimin e ligjit, me arsyetimin se “propozimi do të lirojë nga burgjet kriminelë e njerëz të afërt me pushtetin”.

Partitë opozitare shqiptare thanë se “projektligji është propagandë e partive në pushtet për përfitim të pikëve politike para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”.

Drafti u kritikua edhe nga drejtuesit e institucioneve gjyqësore, të cilët e kanë vlerësuar si ndërhyrje në punën e tyre.

Me këtë propozim bëhet ndërhyrje në gjyqësor. Ne ndodhemi në një situatë aspak të volitshme pasi gjyqësori ndodhet përballë kritikave të shumta, ndërsa në anën tjetër kemi ndërhyrje të pushtetit ligjvënës në punën e gjyqësorit. Ne po anashkalohemi nga vendime të mëdha.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65834 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE