Në Kongresin Amerikan, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi 14.5 miliardë dollarë ndihma për Izraelin!
Në Kongresin Amerikan, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një paketë ndihme ushtarake prej rreth 14.5 miliardë dollarësh për Izraelin. Kjo konsiderohet mbështetje e fuqishme amerikane në luftën me Hamasin, si edhe një qëndrim partiak nga kryetari i ri Mike Johnson, çka përbën sfidë të drejtpërdrejtë për demokratët dhe presidentin Joe Biden.
Ndryshe nga më parë, paketa e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kryesuar nga Johnson, kërkon që ndihma urgjente të kompensohet përmes shkurtimit të shpenzimeve qeveritare diku tjetër. Biden ka paralajmëruar se do t’i vërë veton projektligjit që u miratua me 226 vota pro e 196 kundër. 12 demokratë iu bashkuan shumicës republikane. Dy republikanë votuan kundër.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha se “paketa republikane do t’i sigurojë Izraelit ndihmën e nevojshme për t’u mbrojtur, liruar pengjet e marra nga Hamasi e për të çrrënjosur grupin militant palestinez”.
Ligjvënësit po punojnë për të siguruar investime të përgjegjshme e zvogëluar madhësinë e qeverisë federale.
Demokratët theksuan se ky qëndrim do të vononte ndihmën për Izraelin. Lideri i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, paralajmëroi se projektligji “jashtëzakonisht joserioz” nuk ka shanse të miratohet në Senat.
Presidenti Biden i ka kërkuar Kongresit një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh, ku përfshihen ndihmat për Izraelin e Ukrainën, si edhe fonde për të rritur konkurrencën me Kinën në rajonin e Azi-Paqësorit. Po ashtu, fonde për rritjen e sigurisë përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara e Meksikës.
Johnson tha se dëshiron t’i trajtojë çështjet ndarazi, ndërsa më pas do të shqyrtojë ndihmat për Ukrainën e çëshjen e sigurisë së kufirit. Në radhët e republikanëve janë shtuar zërat kundër ndihmave për Kievin.
Duke paralajmëruar për veton, Shtëpia e Bardhë theksoi:
Qasja e Johnson-it dështon të përmbushë nevojat urgjente të momentit dhe do të krijonte një rast të rrezikshëm duke kërkuar që fondet urgjente të vijnë nga shkurtime diku tjetër.
Në projektligjin e miratuar nga republikanët, shifra është e ngjashme me shumën e kërkuar nga Biden, por Shtëpia e Bardhë u shpreh se mospërfshirja e ndihmës humanitare për Gazën është “gabim i rëndë” ndërsa kriza thellohet.
Ky projektligj bie ndesh me qëndrimin normal, atë dypartiak për miratimin e ndihmës urgjente për sigurinë kombëtare. Qëndrimi i republikanëve do të sillte ndërlikime shkatërrimtare për sigurinë tonë gjatë viteve të ardhshme.
Republikanët kanë epërsi të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa demokratët kontrollojnë Senatin. Që të bëhet ligj, një draft duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat e më pas të nënshkruhet nga presidenti Biden.