Qeveria rrit fondet në 5.4 miliardë lekë për emergjencat civile në 2024!
Emergjencat civile do të marrin më shumë fonde për vitin 2024. Në treguesit e projektbuxhetit për vitin 2024 rezulton se fondi për emergjencat civile është 5.4 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë lekë më shumë nëse e krahasojmë me një vit më parë.
Fondi i Parandalimit dhe Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore do të ketë përparësi të financojë projektet e investimeve që tashmë janë në proces për të parandaluar përmbytjet, marrjen e masave në rast zjarri apo tërmeti. Pjesa e financimit të projekteve në proces vendoset në listën e investimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, në përputhje me ecurinë e projektit.
Për të parandaluar përmbytjet në fokus do të jetë edhe ndërtimi i digave dhe ndërhyrja në ato ekzistuese. Fondi për Digat është rreth 500 milionë lekë dhe është një mekanizëm financiar që financon rehabilitimin ose rikonstruksionin e digave të rezervuarëve, duke mbështetur politikën kombëtare të parandalimit dhe menaxhimit të fatkeqësive natyrore.
Në relacionin e buxhetit parashikohet që të shtohen veprat e mbrojtjes nga përmbytje të rehabilituara apo ndërtuara kundrejt totalit të nevojshëm prej 300 km nga 35% në 41% në vitin 2026.
Fondi i emergjencave civile është i domosdoshëm për pushtetin vendor për të menaxhuar pasojat e fatkeqësive natyrore dhe për të ndihmuar banorët t’i përballojnë ato. Për këtë arsye është përcaktuar me ligj që fondi i emergjencave nuk duhet të jetë më pak se 4% e buxhetit total të bashkisë.
Kujtojmë se, projektbuxheti për vitin 2024 parashikon rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore, lajm që u bë me dije disa ditë më parë nga ministri i Financave Ervin Mete.