Sipas Steve Jobs mënyra më e shkëlqyer për t’i dhënë zgjidhje një problemi është vetëm në 3 hapa thelbësor!

vovalbania September 02, 2022 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Sipas Steve Jobs mënyra më e shkëlqyer për t’i dhënë zgjidhje një problemi është vetëm në 3 hapa thelbësor!

Apple kohët e fundit u premtoi punonjësve të saj orare më fleksibël dhe rregulla më liberale të planifikimit. Disa e shohin këtë veprim si një përpjekje për të vazhduar me interesin në rritje të punonjësve për t’u bashkuar me sindikata. Nëse kjo mund të shkaktojë debat ka diçka që duhet theksuar: Kompania në mënyrë efektive po u kërkon punonjësve të ndjekin metodën me tre hapa të Steve Jobs për të zbuluar sukseset dhe për të gjetur përgjigje për pyetjet e vështira. 

Duke u kërkuar punonjësve të bëjnë më shumë pushime dhe të punojnë më pak, Apple po ndihmon jo vetëm për të reduktuar djegien, por edhe për të rritur produktivitetin dhe inovacionin. Me fjalë të tjera, punoni më zgjuar, jo më shumë. Është diçka që kërkon shumë përpjekje për ta bërë, por është diçka në të cilën Jobs ishte mjeshtër, gjë që e frymëzoi atë dhe çoi në ndjekjen e suksesit. Dhe kushdo mund ta përdorë atë. Këtu është metoda me tre hapa e bashkëthemeluesit të Apple për zgjidhjen e problemeve të vështira:

Hapi 1
Zgjero horizontin tënd

Problemet e vështira duan edhe zgjidhje më të vështira. Procesi i zbulimit të këtyre zgjidhjeve shpesh kërkon ide që lidhen me realitetin subjektiv, fushë në të cilën Steve Jobs kishte aftësi të jashtëzakonshme, sipas Harvard Business Review. Teksa shumë persona, kur kanë një problem, përpiqen të përqendrohen te një zgjidhje e vetme, në vend të kësaj, ju duhet të filloni duke zgjeruar horizontin dhe duke parë problemin e plotë, me të gjithë elementët e tij. Kjo ju mundëson që të identifikoni saktësisht se çfarë po kërkoni në të vërtetë.

Për ta bërë këtë, vendosini vetes një qëllim për atë që po kërkoni të zbuloni ose të arrini. Dilni jashtë sferës së asaj që është aktualisht e mundur, dhe në vend të kësaj, mendoni për atë që do të ishte e mundur. Për shembull, Jobs e dinte se teknologjia e tij do të ishte e shkëlqyer, që përpara se të ekzistonte produkti i parë i Apple. Aq i bindur ishte ai për këtë, saqë kur u hap dyqani i parë i Apple në vitin 2001, Jobs tha se qëllimi i tij nuk ishte që të “shiste kompjuterë”, por të “përmirësonte jetën e njerëzve”, sipas Forbes.

Hapi 2
Përqendrohu

Pasi të jeni të qartë për atë që po kërkoni, duhet të kaloni një fazë duke menduar me kujdes dhe duke mbledhur fakte. Ky është momenti kur ju vendosni atë që dëshironi të arrini dhe punoni pa pushim për ta arritur atë. Për këtë gjë, Jobs ishte një ekspert. Ai shfaqte një fokus intensiv dhe obsesiv (ose “hiperfokus”), dhe është pikërisht kjo aftësia që e bënte atë kaq efektiv në motivimin e punonjësve. Fokusi intensiv dhe obsesiv mund të jetë përgjigjja për të gjetur ide të reja – pavarësisht rrugës që zgjidhni për të arritur te këto ide. Për shembull, Albert Ajnshtajni ka thënë:

Nëse do të kisha një orë kohë për të zgjidhur një problem, do të shpenzoja 55 minuta duke menduar për problemin dhe 5 minuta duke menduar për zgjidhjen e tij.

Nga ana tjetër, Tony Robbins ka deklaruar të kundërtën e kësaj në Twitter, duke thënë se,

Liderët shpenzojnë 5% të kohës duke menduar për problemin dhe 95% vtë kohës për zgjidhjen e tij.

Sido që të jetë, çdo rrugë lidhet me përqendrimin intensiv dhe destinacioni përfundimtar mbetet i njëjtë.

Hapi 3
Shkëputuni nga problemi

Kur shikoni se jeni duke u sjellë rrotull një problemi kot së koti pa gjetur një zgjidhje, bëni një pushim. Bëni një shëtitje. Shkëputuni nga problemi. Siç tha dikur Steve Jobs:

Ju nuk mund të gjeni të gjitha informacionet e nevojshme për një problem duke parë përpara. Ju mund ta bëni këtë vetëm kur shikoni prapa.

Distancimi nga diçka është shpesh momenti kur ne qartësohemi dhe bëhemi më krijues. Pra, të bërit e pushimeve sjell shumë më tepër përfitime sesa thjesht një shkëputje nga puna. Në të vërtetë ai sjell të menduarin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe risi. Për shembull, Tomas Edison dremiste sa herë nuk mund të kuptonte një pyetje ose një ekuacion kompleks, sipas Scientific American.

Duke vepruar kështu, ai më pas do të zbulonte përgjigjen që kërkonte. Kjo është arsyeja pse njerëzve shpesh u vijnë idetë më të mira kur bëjnë aktivitete të zakonshme, si për shembull kur ngasin makinën, kur ulen pranë bregdetit ose kur bëjnë dush. Ndonjëherë, ju duhet të largoheni nga problemi për t’iu afruar më shumë përgjigjes. Kjo ishte një nga strategjitë e Jobs për të rritur krijimtarinë e ekipit. Një nga arsyet pse Jobs i pëlqente takimet që zhvilloheshin duke ecur, nuk ishte thjesht fakti se kjo e ndihmonte atë të gjente përgjigje; kjo gjithashtu ndihmonte të gjithë punonjësit e tij që të largoheshin nga tavolina e punës dhe të afroheshin më shumë me njëri-tjetrin për të gjetur përgjigjen që po kërkonin dhe për të zgjidhur çdo problem për të cilin po punonin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65808 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE