Analistët: Toni i presidentit Biden ka ndryshuar me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit

vovalbania September 02, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Analistët: Toni i presidentit Biden ka ndryshuar me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit

Presidenti Joe Biden e përdori dhjetëra herë fjalën “demokraci” në një fjalim të apasionuar për atë që ai e sheh si një udhëkryq kritik për Shtetet e Bashkuara, për shkak të republikanëve të mbështetur nga ish-presidenti Trump. Zoti Biden tha se ata përbëjnë një kërcënim për demokracinë amerikane. Ai e bëri të qartë se cilin konsideron përgjegjës.

Presidenti Joe Biden beson se Shtetet e Bashkuara janë në një udhëkryq kritik. Të enjten në mbrëmje ai e bëri të qartë se cilin konsideron përgjegjës.

“Nuk ka dyshim që Partia Republikane sot është e mbizotëruar, e drejtuar dhe e frikësuar nga Donald Trumpi dhe republikanët e MAGA-s. Dhe kjo përbën kërcënim për këtë vend”, tha ai.

Zoti Biden foli për 25 minuta, gjatë të cilave e përmendi 25 herë fjalën “demokraci”.

Ai denoncoi republikanët e lidhur me zotin Trump, të cilët i bëjnë jehonë pretendimit të rremë të tij se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën, ata që bëjnë përpjekje për të shtypur pjesëmarrjen e votuesve në shtetet kyçe dhe ata që morën pjesë ose inkurajuan sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.

Por ai shprehu gjithashtu optimizëm për atë që e sheh si një të ardhme më të mirë, nën drejtimin e partisë së tij, fitoret e fundit legjislative të së cilës i paraqiti si provë.

“Ne mund të zgjedhim një rrugë më të mirë drejt së ardhmes. Një e ardhme me mundësi, një e ardhme për të realizuar ëndrrat dhe shpresëdhënëse. Ne po e ndjekim atë rrugë”.

Përpara fjalimit, udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy e akuzoi presidentin Biden për përçarje.

“Kur Presidenti të flasë sot, fjalët e para nga goja e tij duhet të jenë të kërkojë ndjesë për etiketimin e dhjetëra miliona amerikanëve si fashistë”, tha ai.

Kjo është vizita e dytë këtë javë e zotit Biden në shtetin e Pensilvanisë, që shihet si një fushë beteje midis demokratëve të partisë së tij dhe republikanëve të zotit Trump në zgjedhjet e Kongresit në nëntor.

Më herët gjatë ditës, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre theksoi se ky ishte më shumë se një fjalim fushate.

“Bëhet fjalë për luftën themelore në mbarë globin mes autokracisë dhe demokracisë dhe për faktin se demokracia është jetike që ky vend të ecë përpara”, tha ajo.

Analistët vëzhgojnë se fitoret dhe përparësitë e fundit legjislative të zotit Biden nuk përputhen shumë me temat e fjalimit.

“Po fillojmë të shohim se cilat janë temat në favor të demokratëve: armëmbajtja është një prej tyre, demokracia është një tjetër. Dhe është interesante që ai nuk ka bërë shumë në drejtim të legjislacionit në asnjërën nga këto fusha. E megjithatë ato janë temat që ai po trajton, por jo me synimin për të hartuar politika për momentin: me shpresën për fitoren e demokratëve në nëntor”, thotë William Howell, profesor i politikës amerikane në Universitetin e Çikagos.

Historianët që studiojnë retorikën presidenciale thonë se toni i zotit Biden ka ndryshuar dukshëm me afrimin e zgjedhjeve për Kongresin.

“Unë besoj se intensifikimi i retorikës nga presidenti dhe demokratët e tjerë po funksionon. Ka prova që shumë votues të pavarur – jo votues të zotit Trump, – veçanërisht gratë, madje edhe në shtetet konservatore, si Teksasi dhe Kansas, kanë humbur durimin me obstruksionizmin republikan, me lajmet për shkeljen e ligjit nga ish-presidenti Trump. Sa më shumë të jetë ai në lajme, aq më mirë duken demokratët”, thotë Jeremi Suri, profesor historie në Universitetin e Teksasit në Austin.

Por të enjten në mbrëmje në Filadelfia, presidenti e tha fjalën votë vetëm tetë herë, duke zgjedhur të paraqesë vizionin e tij për Amerikën.

“Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe Zoti e ruajtë kombin tonë. Dhe Zoti i ruajtë të gjithë ata që mbrojnë demokracinë tonë. Zoti ju bekoftë të gjithëve. Faleminderit.”

Mbetet për t’u parë se cili botëkuptim do të triumfojë kur amerikanët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në nëntor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE