Gjyqi kundër Dritan Rexhepit, duhet të njoftohet!

vovalbania November 16, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjyqi kundër Dritan Rexhepit, duhet të njoftohet!

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sot e pati të pamundur të zhvillonte gjyqin në ngarkim të Dritan Rexhepit dhe të tjerëve, të akuzuar për rrëmbimin e Jan Prengës.

Në nisje të seancës, SPAK-u tha se me anë të një letër-rekomandimi do t’i drejtohet autoriteteve turke në Ankara që të bëjnë njoftimin e Dritan Rexhepit për gjyqin.

Për aq kohë që është i arrestuar, procesi nuk mund të vijojë pa njoftimin zyrtar të Rexhepit, mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij në Shqipëri. Në vendin tonë, gjyqi ka nisur prej disa muajsh. Sot, prokuroria do të lexonte kërkesën për provat që do të sjellë në proces.

Më herët u dënua me burg përjetë Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit “Golden Resort” ku u mbajt peng Jan Prenga, si dhe me tre vite heqje lirie, menaxheri i resortit, Olsi Turja.

Në një zhvillim të bujshëm, para një jave, Dritan Rexhepi, i njohur si “mbreti shqiptar i kokainës” u arrestua në Stamboll të Turqisë nga policia turke në kohën kur ka qenë në kërkim ndërkombëtar nga Italia e Shqipëria. Mësohet se ai mbante pasaportë false me emrin e rremë, Benjamin Omar Perez Garcia.

Rexhepi u prangos gjatë një operacioni kundër kartelit të quajtur “Kompania Bello”, i cili transportonte drogë nga Amerika e Jugut për në vendet e Europës. Ai u kap si rezultat i punës së përbashkët të kryer nga drejtoritë e Luftës ndaj Krimeve Narkotike, të Inteligjencës, kundër Trafikimit të Emigrantëve e Kalimeve Kufitare, si dhe shkëmbimit të informacionit me policinë italiane.

Autoritetet në vendin tonë e në atë fqinj e kërkonin për “Vrasje me dashje”, “Trafik droge”, “Rrëmbim”, “Falsifikim” dhe për “Mbajtje armësh e municionesh”.

Ministri turk  i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya bëri të ditur se është konstatuar se Rexhepi ka hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane, i regjistruar në emrin Benjamin Omar Perez Garcia. Zyrtari i qeverisës së Ankarasë shtoi se janë marrë masa për këtë çështje.

Ministri Yerlikaya, i cili njoftoi për operacionin policor në llogarinë e tij në rrjetet sociale, deklaroi se policia e Stambollit arrestoi liderin e kartelit në Beylikdüzü, si rezultat i ndarjes së informacionit me policinë italiane. Ndërkaq, u zotua për intensifikim të përpjekjeve kundër formave të ndryshme të krimit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65769 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE