GJKKO lë në fuqi masën “Detyrim paraqitje” për Ilir Beqajn/Ish-ministri: Kam rezerva, por nuk e apeloj!

vovalbania November 20, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
GJKKO lë në fuqi masën “Detyrim paraqitje” për Ilir Beqajn/Ish-ministri: Kam rezerva, por nuk e apeloj!

Gjykata e Posaçme la në fuqi masat e “Detyrimit të paraqitjes” dhe të “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar “Për shpërdorim detyre” në dosjen e koncesionit të Sterilizimit. Beqaj nuk iu përgjigj pyetjeve të gjyqtarit duke u shprehur se do të flasë në një moment të dytë.

Vendimi:

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 127 Akti, datë 20.11.2023, vendosi:

1.Vazhdimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, me vendimin Nr. 119, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2.Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

3.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Para Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Beqaj duhet të paraqitet një herë në javë, të premteve, ora 15:30. Para gazetarëve, ai deklaroi:

Jam në dispozicion të këtij procesi hetimor. Përtej rezervave që kam, vendosa të mos e apeloj. Vazhdoj të besoj se çfarë kemi bërë ka qenë thelbësore. Në janar, bëhen 8 vite që po hetohet, ndërsa në këto 8 vite operohet në kushte sterile.

Masat e sigurisë për Beqajn u miratuan nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 16 nëntor, bazuar në kërkesën e prokurorisë. Deri tani, nga hetimi i SPAK-ut, ai rezulton zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e Partneritetit Publik-Privat të sterilizimit, me vlerë 100 milion euro, pas arrestimit të zëvendësit të tij në dikasterin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj e biznesmenit Ilir Rrapaj, në gusht të këtij viti.

Hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, që siç dyshohet, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt e shtetasit italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme, në kundërshtim me ligjin; hartimin e kritereve, që t’i përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht, si edhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes zv.ministrit Klodian Rrjepaj, si kryetar i Komisionit të Koncesionit e Ilir Rrapajt, si biznesmen përfitues i tij.

Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit, ishin “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Emri i Ilir Beqajt mungoi në fillim në listën e personave të akuzuar “Për shpërdorim detyre” dhe “Mashtrim me pasoja të rënda”, por në një vendim për masë sigurie, gjyqtari Erjon Bani vlerësoi se “shkeljet e akteve ligjore ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj”.

Ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërsa gjyqtari i vlerësoi hetimet si “të paplota” në momentin e vendosjes së 9 masave të para për këtë çështje. Po ashtu, orientoi prokurorinë drejt hetimit edhe për veprat penale të korrupsionit e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE