Dita e 2-të e armëpushimit Izrael-Hamas, pritet të lirohen më shumë pengje!

vovalbania November 25, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Dita e 2-të e armëpushimit Izrael-Hamas, pritet të lirohen më shumë pengje!

Sot në ditën e dytë të armëpushimit, pritet që Hamasi të shkëmbejë më shumë pengje me të burgosur që po mbahen në Izrael. Marrëveshja e arritur më herët gjatë javës ka mundësuar dërgimin e ndihmave tejet të nevojshme humanitare në Rripin e Gazës, pas shtatë javëve luftimesh të pareshtura.

Dje në ditën e parë të armëpushimit katërditor, Hamasi liroi 24 prej 240 pengjeve që rrëmbeu gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael, çka nxiti luftën. Ndërkaq, Izraeli liroi 39 palestinezë nga burgjet e veta. Të liruarit nga Gaza ishin 13 izraelitë, 10 shtetas tajlandezë e një filipinas.

Gjatë katër ditëve, Hamasi duhet të lirojë të paktën 50 pengje izraelite, ndërsa Izraeli, 150 të burgosur palestinezë. Izraeli tha se armëpushimi mund të zgjatet me 24 orë për çdo 10 pengje shtesë të liruar.

Armëpushimi që nisi dje në mëngjes u solli 2.3 milion palestinezëve pak qetësi nga bombardimet e pareshtura izraelite, si pasojë e të cilave janë vrarë mijëra njerëz dhe janë rrafshuar ndërtesa banimi. Tre e katërta e popullsisë u detyrua të braktisë shtëpitë.

Edhe sulmet raketore të luftëtarëve të Hamasit nga Gaza drejt Izraelit u ndalën. Për Emad Abu Hajerin, banor në kampin e refugjatëve Xhabalia në Gaza, armëpushimi nënkupton mundësi që ai të gërmojë në rrënojat e shtëpisë, e cila u rrënua nga një sulm ajror izraelit.

Aty gjeti trupat e një kushëriri dhe nipit, duke bërë që numri i familjarëve të vrarë t’i shkojë në 19. Sot rinisi gërmimin, në kërkim të motrës e dy të afërmve të tjerë të zhdukur.

Dua t’i gjej ata e t’i varros me dinjitet!

Kombet e Bashkuara thanë se pauza iu ka mundësuar të rrisin sasinë e dërgesave të ushqimit, ujit e ilaçeve në shkallën më të lartë që kur nisi dërgimi i ndihmave humanitare në Gaza, më 21 tetor.

Për herë të parë pas një muaji, ndihmat shkuan në veri të Gazës, që është fokusi i ofensivës tokësore të Izraelit. OKB-ja dërgoi miell në dy ndërtesa ku janë duke u strehuar njerëz të zhvendosur nga luftimet.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta vazhdojë luftën derisa ta shkatërrojë Hamasin, t’i japë fund sundimit të tij 16-vjeçar në Gaza dhe t’i lirojë të gjitha pengjet.

Ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 13 mijë e 300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që udhëhiqet nga Hamasi. Mbi 6 mijë të tjerë janë zhdukur.

Izraeli thotë se ka vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit, por pa dhënë prova për këtë numër. Ndërkohë, si pasojë e sulmit të Hamasit në jug të Izraelit u vranë 1 mijë e 400 njerëz më 7 tetor.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE