Tiranës i shtohen 2500 pemë, Veliaj: Merrni lopatat, koha e mbjelljeve!
Dita Ndërkombëtare e Mbjelljes së Pemëve, Tiranës i shtohen 2 mijë e 500 fidanë. I pranishëm në aksionin për mbjelljen e pemëve në Baldushk, kryebashkiaku Erion Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkohen nismës së institucionit që drejton.
Kemi mbërritur në një situatë kur edhe ai cinizmi e skepticizmi i dikurshëm ose gallata që bëhej me fushatat e mbjelljeve, ka kaluar. Së pari, sepse votuesit na dhanë një mesazh shumë të qartë, ata duan më shumë se 800 mijë, 900 mijë, 1 milion, çdo pemë është më mirë se të jemi tallës i së mirës publike. Pra, secili mund të marrë një lopatë e të ndihmojë.
Është fakt se sot kemi kaq shumë të rinj, që e konsiderojnë në modë përfshirjen në aktivitete të tilla. Janë të rinj që studiojnë në Universitetin Bujqësor, por edhe fëmijë që thonë do të mbjell një pemë për ditëlindje, për gjyshin, për çdo sebep ose thjesht për të shtuar oksigjenin.
Këtu jemi në një nga kurorat e Tiranës. Më vjen mirë që tregu i madh Agro-Ushqimor i Farkës është kthyer në një pikë stacioni ku tregtojnë fermerët lokalë, por duhet të dimë se kjo ekonomi rurale ushqen edhe mushkëritë e Tiranës me oksigjen. Ne mund të mbjellim pemë sa të duam në Tiranë, mund të shqyejmë çdo trotuar e çdo rrugë sepse ato akse trashëguam nga koha e komunizmit e madje që nga koha e fashizmit, por Tirana kaq akse ka, ndaj ne do bëjmë maksimumin që të mbjellim në çdo xhep apo ballkon e tarracë.
Ama, filtrimi i ajrit, oksigjenimi i Tiranës ndodh realisht nga kjo lloj ekonomie. E kemi bërë duke mbjellë pemë nga Fagu në Kllojkë, në Dajt, në Gurrë, pra le të themi në gjithë pjesën malore të Tiranës. Ndërsa, pjesa e Tiranës kodrinore, që zë fill nga Petrela, e gjithë zona e Mulletit dhe Farkës, e vazhdon pastaj në Baldushk, Arbanë, Vaqarr e deri në Ndroq, është pjesa ku kemi më shumë hapësirë për të mbjellë.
Veliaj e deklaroi “të hapur” stinën e mbjelljeve të pemëve në Tiranë, duke sjellë në vëmendje se ripyllëzimi është një mision për të shmangur emergjencat natyrore.
Pemët nuk na i ka prerë hasmi, i kemi prerë vetë. Prandaj, duhet t’i mbjellim po vetë. Do të thotë se njeriu siç di të bëjë shumë shumë keq, di të bëjë edhe shumë shumë mirë. Më vjen mirë që sot jam me një grup njerëzish që dinë të bëjnë mirë. Është muzikë për veshët kur dëgjoj se PNUD-i ka kontribuuar me këtë donacion, nëpërmjet Institutit të Kërkimeve Urbane. Ne mund të mbjellim në çdo stinë, ndaj edhe e kemi zgjeruar fushatën. Sigurisht, moti i lagësht e bën pak më të kollajtë, ndaj nga nëntori deri në muajve mars-prill kemi kohën optimale për të mbjellë.
Një thirrje për donatorët:
Bëni këtë që po bën ky donator! Neve na duhen pemë, nuk na duhen më shumë leksione, seminare, konferenca e kongrese. Thirrja ime është për ata që kanë mundësi t’i japin diçka mbrapsht qytetit. Duke mbjellë një pemë, secili hedh rrënjë jo vetëm metaforikisht në qytet, por edhe fizikisht, ndaj mezi pres të shoh më shumë donatorë të mëdhenj që kontribuojnë me pemë dhe jo me konferenca e seminare nëpër hotelet e Tiranës.
Hotelet i kemi plot me turistë, s’kemi pse konkurrojmë me ta. Ne duam të konkurrojmë në terren me investime që do t’i ngelen qytetit përtej mandatit të një profesori, të një politikani, të shoqërisë civile apo edhe të një ambasadori.
Përvishini mëngët, vishni çizmet e llastikut, jemi gati për stinën e mbjelljeve, e fillojmë me 2500 këtu në Baldushk, por unë besoj që këto numrat janë gjithmonë të pamjaftueshëm. Tirana s’ka nevojë për 1 milion, Tirana ka nevojë për 10 milion pemë. Kur secili bën të vetën, atëherë mund të thotë: Unë e bëra timen!