25 vite Kushtetutë, presidenti Begaj: Sistemi i drejtësisë po përballet me sfidë të madhe!

vovalbania November 27, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
25 vite Kushtetutë, presidenti Begaj: Sistemi i drejtësisë po përballet me sfidë të madhe!

Në aktivitetin e organizuar në sallën e Kuvendit, në kuadër të veprimtarisë “25 vite Kushtetutë”, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj tha se parimi i shtetit të së drejtës është një nga elementet themelorë të sanksionuar në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Sipas kreut të shtetit, “ky parim përbën kusht të domosdoshëm për funksionimin e një shoqërie të lirë për paqen, mirëqenien, kulturën solidaritetin shoqëror dhe respektimin e vlerave të demokracisë”.

Po kaq me rëndësi është edhe parimi i ndarjes së pushteteve e balancimi i tyre, që përbën thelbin e ekzistencës dhe mirëfunksionimit të shtetit të së drejtës. Kushtetuta jonë arriti t’i paraprijë e të parashikojë procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë që lidhet ngushtësisht me parimin e së drejtës dhe sovranitetit shtetëror. Përmes kësaj Kushtetute, u arrit të sanksionohen dispozita të rëndësishme që vendosin parimet bazë për përgatitjen dhe legjitimitetin e integrimit të Shqipërisë në aleancat ndërkombëtare duke i çelur rrugën anëtarësimit në NATO dhe procesit në integrimit në BE.

Begaj theksoi se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë me reformat që ka ndërmarrë, ndërsa veçoi atë në Drejtësi.

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 sollën ndryshime në sistemin e drejtësisë, si dhe në formimin e organeve ekzistuese e krijimin e strukturave të reja, me qëllim forcimin e pavarësisë dhe rritjen e llogaridhënies së organeve të drejtësisë. Referuar progres-raportit të këtij viti, Shqipëria ka bërë hapa pozitivë me reformat që ka ndërmarrë sidomos me reformën në drejtësi, e cila po jep rezultate të dukshme duke kontribuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pavarësisht arritjeve, sot sistemi i drejtësisë po përballet me një sfidë të madhe për shkak të numrit të madh të çështjeve që gjykata ka në shqyrtim.

Begaj theksoi më tej se të gjithë “kemi përgjegjësinë dhe detyrën që të jemi garant të Kushtetutës e normave themelore që ajo pasqyron”. Sipas presidentit, respektimi i saj ndihmon si në rritjen e cilësisë ligjvënëse, ashtu edhe të kontrollit kushtetues.

Sot është dita për të vlerësuar edhe kontributin e Gjykatës Kushtetuese. Drejtësia kushtetuese dhe roli i kësaj gjykate kanë ndihmuar në tre drejtime që kanë të bëjë më parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parimin e sigurisë juridike, mbrojtjen e respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Gjithashtu, Begaj vuri në dukje se “kemi shumë punë për të bërë sidomos në drejtimin e integrimit në BE që mbetet objektivi ynë madhor dhe parësor”.

Progresi është i vazhdueshëm, por edhe me sfida të reja, për të cilat kërkohet angazhim maksimal nga institucionet për harmonizimin e plotë të legjislacionit tonë të brendshëm me atë të Bashkimit Europian e nxitjen e reformave të nevojshme në të gjitha fushat, për të finalizuar sa më shpejt anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE