“Kathimerini”: Athina nën presionin e BE-së për Shqipërinë!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![“Kathimerini”: Athina nën presionin e BE-së për Shqipërinë!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2023/11//kathimerini-athina-nen-presionin-e-be-se-per-shqiperine.jpg)
“Konsultime intensive diplomatike po zhvillohen për të bindur Greqinë për dërgimin e një letre, në emër të Këshillit Europian, në Tiranë, në mënyrë që Shqipëria të fillojë negociatat për grupin e parë të kapitujve të anëtarësimit në Bashkimin Europian”. Kështu shkruajnë Vassilis Nedos e Alexandra Voudouri për të përditshmen e njohur greke “Kathimerini”.
Diskutimi për këtë çështje pritet të zhvillohet sot, gjatë takimit të Përfaqësuesve të Përhershëm në BE (Coreper), pasi të premten e kaluar Shqipëria përfundoi me sukses fazën e parë të negociatave të anëtarësimit në BE, (procesi i shqyrtimit) pas 14 muajsh konsultimesh.
Nuk është “sekret” se Athina zyrtare u vu nën presion për të qenë e përfshirë dhe në një koment për ”Kathimerini”-n, burime diplomatike europiane bënë të ditur se kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë përmes kanaleve diplomatike se procesi i anëtarësimit nuk duhet të jetë një çështje dypalëshe.
Më tej, sipas një zyrtari europian, edhe presidenca spanjolle e BE-së shfaqet veçanërisht e irrituar nga qëndrimi i palës greke. Burime diplomatike theksojnë:
Në këtë kontekst, Greqia nuk mundet të vazhdojë të bllokojë letrën në fjalë edhe shumë kohë pasi të ketë përfunduar procesi i shqyrtimit i Shqipërisë. Për këtë arsye dhe në rast se përfundimisht vendos të dërgojë letrën e lartpërmendur të Këshillit Europian, Athina po shqyrton mundësinë e “bllokimit” të fazës tjetër të procesit përkatës, i cili përfshin një raport që përshkruan të gjitha standardet për atë që është miratuar tashmë ose duhet të ishte përmbushur nga Tirana (marrëdhënie e përhershme anëtarësimi), si dhe thirrja e një konference ndërqeveritare përkatëse.
Greqia është zotuar që të bllokojë aspiratat e Tiranës për në BE derisa të zgjidhet çështja e kryebashkiakut të zgjedhur etnik grek Fredi Beleri, i cili është burgosur në Shqipëri që prej majit, duke theksuar se të drejtat e tij të njeriut po shkelen.
Në përgjigje të akuzave se Greqia është duke e bërë këtë çështje dypalëshe, ministri i Shtetit, Stavros Papastavrou vuri në dukje se qëndrimi i Athinës është që të mbrojë parimet europiane. Papastavrou deklaroi:
Çështja Beleri është thellësisht europiane e nuk është dypalëshe. Ka të bëjë me respektimin e shtetit të së drejtës.