Izraeli zgjeron urdhrat për evakuim në Gazë!
Ushtria izraelite urdhëroi që më shumë rajone rreth qytetit të dytë më të madh të Rripit të Gazës, Han Junis, të evakuohen ndërsa vazhdon ofensivat tokësore dhe ajrore. Sipas ushtrisë, në gjysmën e dytë të jugut të Gazës fshihen liderë të Hamasit, grupit militant palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Europian. Hamasi udhëheq Gazën prej vitit 2007.
Në zonat rreth Han Junisit e Rafahut u raportua për bombardime intensive në orët e fundit. Pjesa më e madhe e 2.3 milion banorëve të Gazës, janë duke u strehuar në jug, pasi Izraeli u ka kërkuar të largohen prej rajonit verior, që në ditët e para të nisjes së luftës, tashmë dymujore.
Me rikthimin e luftimeve janë shuar shpresat për vazhdimin e një armëpushimi të përkohshëm. Një pauzë njëjavore në luftime e që skadoi të premten e kaluar, mundësoi lirimin e shumë pengjeve të marra nga Hamasi në Izrael, si dhe lirimin e shumë palestinezëve prej burgjeve izraelite.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi:
Ne do ta vazhdojmë luftën derisa t’i arrijmë qëllimet tona dhe është e pamundur që të arrijmë qëllimet tona, pa një operacion tokësor.
Banorëve në Han Junis, ushtria izraelite iu kërkoi që të zhvendosen për sigurinë e tyre. Banorët konfirmuan se ushtria hodhi nga ajri letra me mesazhin:
Han Junisi është zonë e rrezikshme e luftimeve.
Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara thanë se zonat nga ku u është thënë banorëve të largohen, përbëjnë rreth një të katërtën e territorit të Gazës. Aty kanë banuar rreth 800 mijë njerëz, para luftës. Para rinisjes së luftimeve, Shtetet e Bashkuara, aleatet më të ngushta të Izraelit e kanë paralajmëruar këtë shtet që të shmangë zhvendosjet masive.
Autoritetet në Gazë kanë thënë se prej ditës kur nisi lufta, më 7 tetor, mbi 15 mijë e 200 njerëz janë vrarë, si pasojë e sulmeve izraelite. Izraeli deklaron vazhdimisht se shënjestron militantë të Hamasit dhe iu vë fajin atyre për vrasjet e civilëve, duke thënë se ata po fshihen në lagje të banueshme.
Izraeli ka njoftuar se të paktën 78 ushtarë të tij janë vrarë që prej nisjes së ofensivës në Gazë. Lufta është nxitur pas sulmeve të Hamasit, më 7 tetor, në tokën izraelite, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë. 240 persona të tjerë u morën peng.
Rinisja e luftimeve ka rritur shqetësimet për 137 pengje që ende janë në duart e Hamasit. Shumica e tyre besohet se janë gra dhe fëmijë.