Vrasjet e grave në Ballkanin Perëndimor shkaktojnë alarm dhe ekspozojnë dobësitë e sistemit!

vovalbania December 05, 2023 0 koment 6 Mund të lexoni në minuta.
Vrasjet e grave në Ballkanin Perëndimor shkaktojnë alarm dhe ekspozojnë dobësitë e sistemit!

Një burrë në Bosnjë vrau bashkëshorten e tij duke e transmetuar vrasjen drejtpërdrejtë në rrjetin social “Instagram”.

Në Serbinë fqinje, 27 gra u vranë gjatë këtij viti, në sulme me bazë gjinore, megjithë përpjekjet për ndërgjegjësimin e shoqërisë për të përmbysur këtë prirje.

Në Kosovë, veprimtarët thonë se dhuna kundër grave përbën “urgjencë kombëtare”.

Nëpër të gjithë Ballkanin Perëndimor, gratë keqtrajtohen, përdhunohen, rrihen dhe vriten, shpesh nga partnerët e tyre, megjithëse e raportojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre tek autoritetet. Shoqëritë e vendeve të rajoni janë tepër konservatore, me tradita shekullore të dominimit mashkullor dhe dhuna ndaj grave ka ardhur duke u shtuar pas luftërave të viteve 90-të dhe krizave politike, ekonomike dhe sociale që kanë vazhduar pas përfundimit të konflikteve.

Si kundërpërgjigje, organizatat e grave në rajon kanë organizuar protesta për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të kërkuar të veprohet. Ato kanë themeluar strehimore për gratë dhe kanë hapur linja telefonike për ndihmë. Por aktivistët fajësojnë autoritetet që nuk po veprojnë më me vendosmëri për të mbrojtur gratë dhe për të kundërshtuar kulturën e mosndëshkueshmërisë.

Publiku në Bosnjë dhe në vendet fqinje, u trondit nga ky realitet brutal në muajin gusht, kur një grua në qytetin boshnjak Gradacaç u godit me armë në kokë nga partneri i saj, gjatë një transmetimi direkt në rrjetin social Instagram.

Vrasja ishte “aq e tmerrshme dhe aq tragjike” sa që “u hapi njerëzve sytë”, tha zonja Jadranka Miliçeviç nga organizata “Cure” (Vajzat).

Në Ballkanin Perëndimor, shumica e shteteve kanë miratuar ligje dhe rregullore për të luftuar dhunën kundër grave, por ato nuk zbatohen plotësisht, thonë aktivistët.

Bosnja, për shembull, ishte në mesin e shteteve të para që ratifikuan Konventën e Stambollit të Këshillit të Evropës ndaj dhunës kundër grave, por, që atëhere, ky fenomen ka ardhur në rritje, thotë zonja Miliçeviç.

“Dhuna kundër grave dhe dhuna në familje janë fenomen global. Ndodhin gjithandej, por mënyra se si reagon shteti ndaj kësaj dhune është çështja kryesore,” thotë Vanja Macanoviç, nga Qendra e Grave Autonome në Serbi. “Fatkeqësisht, ajo që shohim këtu (në Ballkan) është se dhuna lejohet. Është model i sjelljes që nuk dënohet sa duhet publikisht.”

“I kemi nënshkruar të gjitha deklaratat e rëndësishme ndërkombëtare, rezolutat dhe konventat, por zbatimi i tyre është i dyshimtë”, thotë Miliçeviç. “Shumë njerëz ende e shohin dhunën në familje si çështje private ndërmjet dy personave. Nuk e kuptojnë që ky është një problem shoqëror”.

Vëzhguesit u referohen dënimeve të lehta, që Bosnja parasheh për dhunën dhe vrasjen e grave, si një prej problemeve kryesore. Një raport i vitit 2022 nga ekspertët e GREVIO-s, që vëzhgon zbatimin e Konventës së Stambollit, thotë se vendimet e buta të gjykatave ushqejnë një “ndjenjë mosndëshkueshmërie” që ndikon tek dhunuesit dhe viktimat e tyre.

Vetëm në një rast, një vrasës është dënuar me dënimin maksimal prej 40 vitesh për një krim ku gruaja ishte viktima, sipas Miliçeviç. Gjithsej 65 gra janë vrarë në 10 vitet e fundit dhe pesë gra u kanë mbijetuar sulmeve ndaj tyre në një shtet që ka 3.3 milionë banorë, sipas të dhënave atje.

Situatë e ngjajshme mbretëron edhe në Kosovë, një shoqëri tjetër patriarkale dhe e dominuar nga burrat. Dhunimi i një vajze 11 vjeçare nga pesë persona nxiti protesta u kërkua siguri më e madhe për gratë. Protestat çuan në dorëheqjen e shefit të policisë.

Pak kohë pas këtij rasti, protestuesit sërish dolën nëpër rrugë për të protestuar ndaj dy vrasjeve të tjera në Prishtinë. Një mësuese 63 vjeçare u vra me sopatë nga bashkëshorti i saj, ndërkohë që një grua shtatzënë u vra në pritë para spitalit nga burri i saj, ndërsa kishte shkuar atje për të lindur.

Që nga viti 2000, 66 gra janë vrarë në Kosovë nga burrat ose partnerët e tyre, në një vend me 2 milionë banorë. Vetëm një prej autorëve të vrasjeve është dënuar me burg të përjetshëm, sipas statistikave.

Aktivistja serbe Macanoviç beson se një pjesë e problemit është fakti që “institucionet nuk mbahen përgjegjëse” dhe se nuk ka pasoja për gabimet që ato bëjnë në menaxhimin e rasteve. Kjo situatë i shkurajon gratë t’i drejtohen shtetit për ndihmë, sidomos në komunitete të vogla, shton ajo.

“Nuk kemi një sistem të strukturuar të përgjegjësisë për veprimet e gabuara të punonjësve të veçantë, apo të mungesës së veprimeve nga ana e tyre,” thotë ajo. Rrallë ndodh që policët, shërbimet sociale, prokurorët apo zyrtarët gjyqësorë të mbahen përgjegjës nëse bëhen gabime dhe një grua vritet.

Përballë një valë dhune dhe vrasjeve të grave, në vitin 2017 Serbia filloi zbatimin e një ligji të posaçëm që thellon bashkëpunimin ndërmjet agjencive, parasheh ndërmarrjen e menjëhershme të masave kundër autorëve të sulmeve dhe themelon grupe punuese në nivelin lokal për parandalimin e dhunës.

Gjatë një takimi të mbajtur së fundmi në Beograd për të shënuar fushatën globale kundër dhunës ndaj gruas, Ministri serb për të drejtat e njeriut dhe pakicat Tomislav Zigmanov premtoi përpjekje të shtuara në këtë aspekt. Zoti Zigmanov bëri thirrje për bashkëpunim ndërmjet organizatave lokale për të parandaluar dhunën dhe për të vëzhguar procesin penal.

“Organizatat e shoqërisë civile duhet të jenë partnerët tanë në përpjekjen për të krijuar shoqëri tolerante me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë”, tha ai.

Në Kosovë, Ministria e Drejtësisë po dërgon mesazhe telefonike si paralajmërim kundër dhunës dhe për të nxitur gratë të raportojnë sulmet. Zyrtarë të lartë në Kosovë kanë kërkuar publikisht dënime më të ashpra për autorët e dhunës dhe kanë kriktikuar praktikën e mëparshme.

“I tërë sistemi i drejtësisë duhet t’u jap përparësi rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave,” deklaroi Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë konferencës me titull “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”. Zoti Kurti citoi “raste kur kriminelët janë liruar dhe kanë kryer krime edhe më të rënda se herën e parë.”

Bosnja gjithashtu ka miratuar para disa vitesh një ligj për parandalimin e dhunës në familje dhe autoritetet janë zotuar se do të bëjnë më shumë. Por në shoqëritë që kanë kaluar nëpër luftëra, ku ekonomitë dhe institucionet u shkatërruan dhe ku ndasitë etnike, politike dhe sociale shpesh nxiten nga autoritetet në vend që të parandalohen, ndyshimet ligjore nuk mjaftojnë, thonë ekspertët.

Dhuna ka vazhduar dhe do të vazhdojë, thotë zonja Vesna Stanojeviç, drejtuese e një rrjeti strehimoresh për gratë në Serbi. “Nganjëherë pranojmë gra që janë aq shumë të rrahura sa nuk mund të ecin apo ta lëvizin kokën, që vinë pasi kanë qëndruar në spital, që janë në prag të lindjes, që kanë lëndime në bark”, thotë ajo.

“Ku i kanë mësuar (sulmuesit) këto gjëra? Kush janë shembujt për fëmijët tanë”, thotë ajo. “Duhet t’i edukojmë dhe është e qartë që ne (shoqëritë) nuk po e bëjmë këtë”.

Aktualisht, mbi 40 gra dhe fëmijë po qëndrojnë në strehimoret e organizatës që ajo drejton, sipas saj. “Për 32 vite të punës sime, nuk kam parë rënie të dhunës… Nganjëherë ka më shumë, nganjëherë më pak, por përgjithësisht gjithmonë ekziston.”

Në njërën nga strehimoret, një grua 26 vjeçe tha se kishte vendosur ta braktiste partnerin e saj kur vërejti shenja të rrahurash edhe në trupin e foshnjes të saj. Gruaja, e cila nuk deshi të identifikohet për shkaqe sigurie, tha se partneri e dhunonte dhe rrihte vazhdimisht dhe se e mbante të mbyllur me foshnjën në apartamentin e tyre me orë të tëra.

Pasi u largua prej tij, ajo përfundoi në spital me lëndime në gjoks dhe shenja plagësh. Burri I saj u ndalua nga policia. “E rrahura e fundit ishte shumë e keqe”, thotë ajo. “E kuptova që nëse ndodhte sërish, as unë, e as bebja, nuk do të shpëtonim gjallë”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65820 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE