Aleksei Navalny dërgohet në një burg të ri!
Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, nuk është më në burgun IK-6 Melekhovo, pasi është bartur në një burg tjetër, vendndodhja e të cilit nuk dihet ende, tha të hënën zëdhënësja për media e kritikut të Kremlinit, Kira Yarmysh.
“Ata sapo dolën nga ndërtesa e IK-6 Melekhovo dhe i thanë një avokati se i burgosuri Navalny nuk është më në listën e të burgosurve. Ata nuk pranojnë të thonë nëse ai është transferuar”, tha Yarmysh në rrjetin social X.
Më herët gjatë ditës, Yarmysh tha se Navalnyt nuk i ishte lejuar të komunikonte për gati një javë, ndërsa avokatëve të tij nuk i ishte lejuar ta takonin atë në burg.
Navalny, një prej kritikëve më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, në gusht iu rrit dënimi në 19 vjet burgim, pasi u gjet fajtor për krijimin e një organizate ekstremiste dhe u transferua në një burg “me regjim më të ashpër”.
Dënimi paraprak i ishte shqiptuar më 2021, pasi kishte arritur në Moskë nga Gjermania, ku ishte trajtuar nga një helmim, për të cilin ai ka fajësuar Kremlinin.
Para se të burgosej, ai ishte opozitari më i zëshëm që organizoi protesta të mëdha kundër Qeverisë ruse.
Tre prej avokatëve të Navalnyt – Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Aleksei Lipster – janë arrestuar në tetor dhe po ndiqen penalisht për pjesëmarrje në një komunitetit ekstremist, për shkak të lidhjeve të tyre me Navalnyn dhe me fondacionin e tij kundër korrupsionit.