Këshilli i Sigurimit shtyn sërish votimin për Gazën!
Pas ndryshimeve thelbësore në një projektkompromis për një rezolutë për Gazën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një votim u shty sërish në mbrëmje vonë. U tha se disa vende duhej të konsultoheshin me qeveritë respektive.
Në bisedimet me dyer të mbyllura, disa anëtarë të këshillit shprehën pakënaqësi me tekstin e zbehtë për rritjen e ndihmës humanitare për Rripin e Gazës. Dokumenti është rezultat i negociatave intensive mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Egjiptit.
Në ditët e fundit, negociatorët bënë një rrugë të gjatë drejt Amerikës, aleates kryesore të Izraelit, në mënyrë që të parandalonin një veto e si rrjedhojë edhe një dështim të rezolutës.
Teksti i ri i bën thirrje Izraelit që të lejojë menjëherë aksesin e sigurt e të papenguar humanitar në Rripin e Gazës. Në draft thuhet:
Duhet që të krijohen edhe kushtet për një ndërprerje të qëndrueshme të dhunës.
Anëtarët e organit më të fuqishëm të OKB-së arritën një kompromis mbi çështjen e diskutueshme se si do të kontrollohen mallrat. Të tjera pasazhe u fshinë nën presionin e fortë amerikane, përfshirë edhe një paragraf që dënon të gjitha shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar e të gjitha sulmet pa dallim ndaj civilëve dhe objekteve civile. Në Gaza numërohen mbi 20 mijë viktima nga radhët palestinezëve, shumica gra dhe fëmijë.
Po ashtu, në draftin aktual mungon një pezullim i menjëhershëm i dhunës i kërkuar më parë për të lejuar dërgimin e ndihmave. Kujtojmë edhe se votimi u shty disa herë e kjo për shkak të kërcënimit të vetos së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, pas lëshimeve të mëdha të bëra nga negociatorët, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield u shpreh se nuk do të vërë veton ndaj votimit. Miratimi kërkon të paktën nëntë vota pro nga 15 anëtarët.
Vendet me fuqinë e vetos e që janë SHBA-të, Kina, Rusia, Britania e Madhe dhe Franca duhet të votojnë të gjitha në favor, me qëllim që teksti të kalojë me sukses.