Pas NASA – s, edhe India nis misionin hapësinor për të studiuar vrimat e zeza!
Vrimat e zeza fshehin brenda tyre ende shumë mistere. Agjencia hapësinore e Indisë ka lëshuar me sukses një raketë që mban një observator që do të studiojë objekte astronomike si vrimat e zeza. Ai u nis nga porti hapësinor Sriharikota në orën 09:10 me kohën lokale një ditë më parë. Ky është vetëm misioni i dytë në botë i kësaj natyre pasi NASA nisi një të tillë në vitin 2021.
Rikujtojmë se pak kohë më parë u anoncua lajmi se India po planifikon të krijojë stacionin e saj hapësinor deri në vitin 2035 dhe të dërgojë astronautët e saj në Hënë deri në vitin 2040. Këtë e kishte deklaruar së fundmi kryeministri Narendra Modi. Modi tha se bazuar në suksesin e nismave hapësinore të Indisë, duke përfshirë misionet e fundit Chandrayaan-3 dhe Aditya L1, vendi tani duhet të ndjekë qëllime të reja dhe ambicioze, duke përfshirë krijimin e një stacioni hapësinor indian deri në vitin 2035 dhe dërgimin e indianit të parë në hapësirë deri në vitin 2040.
Kabineti qeveritar njoftoi se kryeministri inkurajoi gjithashtu shkencëtarët indianë të punojnë në misione ndërplanetare që do të përfshinin një orbiter për Venusin dhe një tokëzues për Marsin. Në dhjetor 2018, kryeministri indian Narendra Modi miratoi një mision të quajtur Gaganjaan për të dërguar një ekuipazh kombëtar në orbitë në mënyrë të pavarur. Anija kozmike është duke u zhvilluar nga Organizata Indiane e Kërkimeve Hapësinore. Pajisja ka një masë prej 8.2 ton, nga të cilat 5.3 ton është kapsula e banueshme. Pajisja do të jetë në gjendje të funksionojë në orbitë në një lartësi prej 400 kilometrash për të paktën tre ditë.