Plotësimi i vakancës së Arben Ahmetajt në Kuvend, KQZ-ja njofton Plarent Ndrecën!
Për plotësimin e vendit vakant në Kuvend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, sot njofton kandidatin e radhës në listën shumëemërore të Partisë Socialiste në Tiranë, Plarent Ndreca. Hapi i radhës pason refuzimin e mandatit nga Dallëndyshe Bici, aktualisht drejtore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Një ditë më parë, Bici informoi KQZ-në se nuk do të vijojë procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.
Ju bëj me dije se nuk do të vijoj procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të angazhimit tim në detyrën funksionale që ushtroj aktualisht në institucionin qendror.
Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja shpalli moszgjedhshmërinë e kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Tiranë, Dallëndyshe Agim Bici, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ndërkohë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi bëri të ditur se do njoftohet për vakancën kandidati i radhës në listën shumëemërore të Partisë Socialiste, i cili është Plarent Ndreca.
Të mërkurën, Kuvendi i Shqipërisë informoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me mbarimin përpara afatit kushtetues të mandatit të deputetit socialist, Arben Ahmetaj. Kjo për shkak të mungesës së tij, pa arsye në parlament, për mbi 6 muaj rresht. Në shkresë thuhet se 6 korriku 2023 shënon datën e fundit të pjesëmarrjes së Ahmetajt në seancë plenare. Kuvendi ka detyrimin ligjor për të njoftuar KQZ-në lidhur me krijimin e vakancës.
Për çështjen e inceneratorëve, ish-zv.kryeministri Ahmetaj dyshohet për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim apo fshehje pasurie. Më 20 korrik të vitit të kaluar, SPAK-u i dorëzoi policisë urdhërin për ekzekutimin e masës së arrestit me burg për Ahmetajn, i larguar nga Shqipëria që më 7 korrik, pak para se Prokuroria e Posaçme të firmoste kërkesën drejtuar parlamentit për arrestimin e tij dhe që u miratua në një seancë të jashtëzakonshme.