Amerika pritet të njoftojë rikthimin e grupit Houthi në listën e organizatave terroriste!
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata e presidentit Joe Biden pritet të njoftojë planet për t’i rikthyer rebelët Houthi në listën e organizatave terroriste. Këtë e bëri të ditur një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve Reuters.
Siç dihet, ushtria amerikane ka kryer një seri sulmesh në Jemen, që në shënjestër kanë patur zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi, ku janë stacionuar sistemet e lëshimit të raketave balistike, që kanë sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq. Sulmet e rebelëve Houthi kanë ndërprerë transportin detar të mallrave në Detin e Kuq, duke nxitur reagimin e Shteteve të Bashkuara, si dhe Britanisë së Madhe.
Milicia Houthi, aleate e Iranit ka kërcënuar me zgjerim të sulmeve në Detin e Kuq, duke përfshirë ato ndaj anijeve amerikane, në përgjigje të sulmeve amerikane dhe britanike ndaj pozicioneve të tyre në Jemen.
Rebelët Houthi thonë se sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq u kryen në përgjigje të sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, që ka shkaktuar vrasjen e mijëra palestinezeve dhe një krizë humanitare. Sulmi i 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, në të cilin u vranë 1 mijë e 200 persona dhe u morën peng 240 të tjerë, shkaktoi një përgjigje të fortë ushtarake nga Izraeli.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken hoqi grupin Houthi nga lista e organizatave terroriste në shkurt të vitit 2021, për të lehtësuar dërgimin e ndihmave humanitare në Jemen.
Në një deklaratë të rreth një jave më parë, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden i quajti forcat Houthi të Jemenit një grup “terrorist”, pasi avionët luftarakë, anijet dhe nëndetëset amerikane e britanike kryen dhjetëra sulme ajrore në të gjithë Jemenin.
Udhëheqësit e grupit Houthi kanë kërcënuar se do të japin një “përgjigje të fortë dhe efektive”. Po ashtu reaguan Rusia e Irani duke paralajmëruar kundër përshkallëzimit të konfliktit. Teherani mbështet rebelët Houthi që justifikojnë sulmet me përkrahjen për palestinezët në Gaza, kundër Izraelit.